Lidhje

Mijëra tajlandezë vazhdojnë protestat


Mijëra protestues mbushën rrugët e Bankokut në Tajlandë të shtunën duke sfiduar shtypjen e policisë, ndërsa kërkojnë largimin e Kryeministrit Prayuth Chan-ocha.

Ndryshe nga protestat e së premtes, kur policia përdori pompat e ujit me presion për të shpërndarë mijëra protestues ku përfshiheshin edhe fëmijë, demonstratat e së shtunës ishin paqësore.

Aktivistët arritën të organizonin protestat për të katërtën ditën me radhë, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për t’i penguar ato përmes një serie veprimesh, përfshi mbylljen e sistemeve të transportit publik në Bankok.

Protestat e së shtunës, të cilat u shtrinë në të paktën gjashtë qytete të tjera jashtë Bankokut, u zhvilluan pavarësisht deklarimit të gjendjes së jashtëzakonshme nga Kryeministri Prayuth të enjten. Gjendja e jashtëzakonshme ndalon të gjitha tubimet politike të më shumë se pesë individëve dhe i bën protestuesit subjekt arrestimesh.

Shumë protestues thanë se ishin frymëzuar për të vepruar të shtunën si rezultat i përdorimit të pompave të ujit nga policia ndaj protestuesve një ditë më parë.

Gjatë javës së kaluar, policia arrestoi më shumë se 50 njerëz, përfshi disa udhëheqës të protestave.

Pallati Mbretëror nuk ka komentuar në lidhje me protestat, por Mbreti Maha Vajiralongkorn ka thënë se vendi ka nevojë për njerëz që e duan monarkinë dhe vendin.

Aktivistët pro-demokracisë u hodhën në demonstrata tre muaj më parë për të detyruar dorëheqjen e Kryeministrit Prayuth, një ish gjeneral ushtarak i cili mori pushtetin përmes një grushti shteti në vitin 2014, duke rrëzuar një qeveri civile të zgjedhur. Ai fitoi zgjedhjet për postin e kryeministrit vitin e kaluar, por protestuesit thonë se vota ishte manipuluar në favor të tij si rezultat i ligjeve kushtetuese të hartuara nga ushtria.

Përveç kërkesës për reformimin e kushtetutës së vendit, demonstruesit po kërkojnë të ulin ndikimin e monarkisë tjalandeze. Mbretëria mban një status të ngjashëm me hyjnitë mes elitës tajlandeze, dhe mbrohet nga ligje të rrepta “lese majestie” (një term francez që nënkupton ...të bësh shkelje ndaj madhërisë) që përcaktojnë dënime me burg për këdo që dënohet për fyerje të monarkisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG