Lidhje

Këshilltari i presidentit sinjalizon një debat me më pak ndërhyrje të enjten


Një prej këshilltarëve kryesor të fushatës së Presidentit Donald Trump sinjalizoi se presidenti mund të ndërhyjë më pak gjatë debatit të fundit të së enjtes me kundërshtarin e tij demokrat ish-Nënpresident Joe Biden, krahasuar me përballjen e tyre të parë muajin e kaluar.

"Kur flisni për stilin dhe qasjen, mendoj se Presidenti Trump do t'i japë Joe Bidenit pak më shumë hapësirë për të shpjeguar veten për disa nga çështjet", tha ndihmësi i zotit Trump, Jason Miller gjatë një interviste për programin televiziv "Fox News Sunday".

Presidenti Trump dhe ish-Nënpresidenti Biden ndërprenë në mënyrë të përsëritur njëri-tjetrin gjatë debatit të tyre më 29 shtator, me zotin Trump që ndërhyri më shumë sesa zoti Biden, në atë që analistët politikë e kanë cilësuar si debati më i keq i zhvilluar ndonjëherë mes kandidatëve për president.

Gazetari i rrjetit televiziv Fox news Chris Wallace, i cili moderoi debatin, tha se zoti Trump e ndërpreu atë vetë si dhe zotin Biden 145 herë gjatë debatit prej më shumë se 90 minutash.

Të dielën zoti Miller tha se zoti Trump dëshiron që zoti Biden të japë shpjegime rreth njoftimeve të paverifikuara të botuara në gazetën New York Post, sipas të cilave djali i tij Hunter Biden, ka përfituar nga një sërë marrëveshjesh fitimprurëse me Ukrainën, duke shfrytëzuar lidhjet e babait të tij, që si nën president, gjatë periudhës 2009-2017, merrej me vendimet e politikës së jashtme amerikane për Ukrainën.

Gjatë takimeve elektorale të ditëve të fundit zoti Trump e ka cilësuar familjen Biden si "familje të krimit të organizuar". Ai ka sulmuar Hunter Bidenin lidhur me bizneset në Ukrainë, përfshirë një post fitimprurës në bordin e një kompanie ukrainase të gazit natyror si dhe bizneset e tij në Kinë, ndërsa babai i tij ishte nënpresident.

I pyetur në lidhje me izneset e djalit të tij, Joe Biden ka thënë se kjo "është një tjetër fushatë shpifjesh", por pa komentuart drejtpërdrejt rreth marrëveshjeve financiare të Hunter Bidenit.

Zoti Miller tha gjithashtu tha zoti Trump do të kërkojë që zoti Biden të sqarojë nëse ai planifikon ta mbështesë kërkesën e demokratëve progresistë për të shtuar numrin e anëtarëve liberalë në Gjykatën e Lartë prej nëntë anëtarësh, nëse gjykatësja konservatore Amy Coney Barrett miratohet nga Senati disa ditë përpara zgjedhjeve. Në të shkuarën zoti Biden ka shprehur kundërshtim e tij ndaj rritjes së numrit të anëtarëve të gjykatës, përbërja numerike e së cilës nuk është ndryshuar që nga viti 1869.

Por gjatë fushatës, zoti Biden nuk ka pranuar ta shprehë qëndrimin e tij aktual, megjithëse javën e kaluar ai tha se do ta bënte të njohur pozicionin e tij para ditës së zgjedhjeve.

“Presidenti do të dëshirojë të dëgjojë përgjigjen e Joe Bidenit për disa nga këto çështje. Ne patjetër do t'i japim atij gjithë kohën që dëshiron të flasë për shtimin e numrit të anëtarëve të gjykatës. Mendoj se ai do të marrë përgjigje”, tha zoti Miller.

Gjatë ndërprerjeve të shpeshta të debatit të parë nga ana e zotit Trump, zoti Biden në një moment iu kthye duke i thënë: "po mbylle gojën o njeri!"

Një ditë më vonë, Komisioni i pavarur për Debatet Presidenciale tha se do të bënte ndryshime për debatet e ardhshme për të vendosur rregull, por që nga ajo kohë nuk ka njoftuar ndonjë ndryshim.

Pasi Presidenti Trump u infektua me koronavirus Komisioni vendosi në mënyrë të njëanshme që debati i dytë i planifikuar më 15 tetor të zhvillohej virtualisht. Por zoti Trump nuk pranoi të merrte pjesë në një debat në distancë, gjë që çoi në anulimin e tij.

Në vend debatit, dy kandidatët morën pjesë të enjten e kaluar në bashkëbisedime me votuesit në takime që u zhvilluan në të njëjtën orë, por në rrjete të ndryshme televizive.

Debati i së enjtes do të jetë i fundit para ditës së zgjedhjeve. Ndërkohë në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, zgjedhësit po marrin pjesë në votimet e hershme. Deri tani më shumë se 25 milionë amerikanë kanë hedhur votën e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG