Lidhje

Qytetet afrikano-amerikane të Oklahomës


Black Wall Street burns in Tulsa, Oklahoma, June 1921. (Courtesy Greenwood Cultural Center)
Black Wall Street burns in Tulsa, Oklahoma, June 1921. (Courtesy Greenwood Cultural Center)

Oklahoma dikur kishte më shumë se 50 qytete e fshatra plotësisht të populluara me afrikano-amerikanë, më shumë se çdo shtet tjetër amerikan. Por pjesa më e madhe e këtyre komuniteteve të krijuara nga skllevër që kishin fituar lirinë, tani janë zhdukur. Materiali i në vazhdim na njeh me përpjekjet që po bëhen për të shpëtuar 13 komunitetet afrikano-amerikane që mbeten në Oklahoma.

Kur qeveria amerikane shpërnguli me forcë 60,000 amerikanë të fiseve autoktone për t’i dërguar në Oklahoma në mënyrë që të hapej vend për konolët e bardhë në vitet 1830, ata sollën me vete skllevërit e tyre. Pas Luftës Civile, skllevërit, tashmë të çliruar, krijuan komunitetet e tyre.


“Në këto komunitete ata kishin mundësinë të jetonin mes njerëzve të tyre, me të cilët kuptoheshin, të cilët kishin kaluar të njëjtat vuajtje dhe tani kishin mundësinë që së bashku të krijonin qeveritë e tyre, të udhëhiqeshin nga njerëzit e tyre duke zgjedhur vetë zyrtarët. Ishte një mundësi e jashtëzakonshme”, thotë Jessilyn Hall Head me Grupin Coltrane.

Komunitetet ishin plotësisht të pavarura ekonomikisht. Në vitet 1910, qyteti Bouli po lulëzonte me hotele, mjekë, juristë, shkolla, restorante e dy kolegje.


“Kishin edhe një gazetë lokale. Kishin kompaninë e tyre telefonike.

Ishte komunitet me jetë aktive sociale e komerciale. Pa folur pastaj për mijëra ferma bujqësore private që operonin në këto qytete" thotë zonja Hall Head.

Por Depresioni i Madh në vitet 1930 u dha një goditje të rëndë qyteteve afrikano-amerikane. Shumë banorë u larguan për të kërkuar punë. Popullata e qytetit ra. Sot në Oklahoma ka vetëm 13 qytete afrikano-amerikane, një ndër to është Grejson me 140 banorë:


“90% e banorëve janë pensionistë, apo individë me ndonjë paaftësi për punë, të cilët janë kthyer për të jetuar tek shtëpia e prindërve. Ky është komuniteti ynë në Grejson”, thotë kryebashkiaku Leon Anderson.

Rodeoja vjetore tërheq vizitorë në Grejson. Kryebashkiaku kujton vitet e rinisë kur konkurronte në gara:


“Nuk kishim kinema. Nuk kishim ku të shkonim për argëtim në fundjavë, por mund të gjeje zbavitje kur dilje e bëje gara kaubojsash. Vinim baste, sfidonim njëeri-tjetrin, kush arrin të kapë viçin më shpejt se tjetri”.

Shirley Ballard Nero u rrit në komunitetin afrikano-amerikan, Klirvju.

“Rrotull nesh jetonte popullatë autoktone pasi ky është territor i fisit Krik. Pra nuk ishim vetëm ne afrikano-amerikanët”.

“Luanim të gjithë bashkë. Kishim shërbimet postare në një vend. Por kur vinte koha për shkollë shkonim me autobusë të ndryshëm”, tregon zonja Nero.

Zonja Nero ka qenë mësuese, bashkëshorti ka punuar pegagog në universitet. Të dy në pension, tani ata janë kthyer për të jetuar në Klirvju.


“Doja të kthehesha. E dija që qyteti kishte nevojë për ne, pasi kemi njohuritë dhe kapacitetin financiar të ndihmojmë”, thotë zonja Nero.

Shumë nga ndërtesat në qytetet afrikano-amerikane janë të braktisura, të lëna pas dore, në prag të shkatërrimit. Klirvju arriti të restaurojë palestrën e shkollës së vjetër, të ndërtuar në 1939. Tani ndërtesa përdoret si qendër komunitare për banorët që organizojnë grumbullime familjare apo për aktivitete të zonës për të grumbulluar fonde.

Grupi Coltrane, një organizatë vullnetare, synon të rigjallërojë qytetet afrikano-amerikane të Oklahomës.


“Nëse zhduken të gjitha këto ndërtesa... nuk do të ekzistojë më as historia, … pasi do të kesh para syve tokë bosh. Njerëzit nuk arrijnë të imagjinojnë një qytet kur shohin një hapësirë bosh. Nëse këto ndërtesa rikthehen në aktivitet do të ndihmojnë ekonominë për t’i çuar përpara këto qytete,” thotë Andre Head me Grupin Coltrane.

Grupi Coltrane organizon ture historike në qytetet afrikano-amerikane me shpresën se do të grumbullojë fonde të mjaftueshme për të mbrojtur nga zhdukja këtë element unik të historisë së Oklahomës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG