Lidhje

SHBA, Rusia sinjalizojnë dakortësi për zgjatjen e traktatit START i RI


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia sinjalizuan të martën gatishmërinë e tyre për të arritur një marrëveshje të re mbi kontrollin e armëve duke ngrirë arsenalet e mbushjeve bërthamore për një vit, pasi pakti aktual të skadojë në muajin shkurt.

Rusia propozoi zgjatjen e traktatit START i Ri për kontrollin e armëve, me Departamentin amerikan të Shtetit që reagoi disa orë më vonë duke thënë se vlerësonte "vullnetin e Rusisë për të bërë përparim në çështjen e kontrollit të armëve bërthamore".

Departamenti i Shtetit tha se "është i gatshëm të takohet menjëherë për të finalizuar një marrëveshje të verifikueshme. Ne presim që Rusia të autorizojë diplomatët e saj të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në deklaratë.

Moska tha se ishte "e gatshme, së bashku me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmarrë një angazhim politik për të "pezulluar" numrin e mbushjeve bërthamore të mbajtura nga të dyja palët" deri në shkurt të vitit 2022 ndërsa negociohet një traktat i ri.

Traktati i Ri i Pakësimit të Armëve Strategjike u nënshkrua në vitin 2010 dhe vendos kufizime në arsenalet bërthamore strategjike të të dy vendeve. Ai mund të zgjatet për pesë vjet, gjë që Moska ka thënë se është gati ta bëjë pa parakushte.

Zgjatja e mundshme e paktit - qoftë edhe për një vit - do të shënonte një përmirësim të veçantë në marrëdhëniet bilaterale mes të dy vendeve për kontrollin e armëve.

Shtëpia e Bardhë është tërhequr nga traktatet e tjera të kontrollit të armëve me Moskën, duke akuzuar Kremlinin për shkeljen e tyre dhe duke pretenduar se marrëveshjet ishin të favorshme më shumë për Rusinë sesa për Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni u tërhoq Traktati i Forcave Bërthamore me Reze të Mesme i periudhës së Luftës së Ftohtë dhe doli në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja Qiejt e Hapur, një pakt që lejoi të dy vendet të kryenin fluturime zbulimi mbi territorin e njëri-tjetrit.

Joe Biden, rivali demokrat i presidentit Trump në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, mbështet zgjatjen e traktatit START i Ri "për ta përdorur atë si themel për marrëveshje të reja të kontrollit të armëve".

Zoti Biden ka thënë se traktati, i cili u negociua kur ai ishte nën-President, është një "bazë e fortë e stabilitetit strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG