Lidhje

Kthehen në atdhe 4 fëmijët dhe gruaja e shpëtuar nga kampi në Siri


Një grua shqiptare, Floresha Rasha dhe tre fëmijët e saj, Amar, Emel, e Hatixhe Rasha si dhe një tjetër i mitur Endri Dumani u kthyen sot në atdhe, të shoqëruar nga kryeministri Edi Rama, pasi u nxorrën nga kampi i Al Hawl në Sirinë, veriore, në kufi me Irakun, ku gjendeshin prej disa vitesh. Floresha, së bashku me fëmijët, kishte shoqëruar bashkëshortin i cili i ishte bashkuar ISIS-it, ndërsa Endri Dumani së bashku me të motrën e cila ndodhet ende në kamp, ishin marrë që në 2016 nga i ati, i cili vetëm pak muaj pas mbërritjes në Siri, kishte mbetur I vrarë në luftime.

“Më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, sidoqoftë të suksesshëm. Ajo që është edhe më e rëndësishme është që tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që më herët sesa vonë do të kthejmë edhe pjesën tjetër, këtu në Shqipëri”, deklaroi kryeministri, sapo zbriti nga avioni, i ardhur nga Bejruti, ku dje priti fëmijet e shpëtuar.

Ai shpjegoi se ka një vit që autoritetet shqiptare po punojnë me struktura të specializuara që veprojnë në ato zona, dhe se në kamp kishte qenë drejtori i Antiterrorit dhe një tjetër oficer shqiptar. Zoti Rama

Theksoi se “bëhet fjalë për operacione komplekse, që lidhen me futjen në territore ku duhen marrë parasysh më shumë se një faktor. Ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me regjimin e Damaskut. Duhet edhe lejekalimi i tyre. Po ashtu bëhet fjalë për të parandaluar surpriza që mund të vijnë nga momenti në moment për njerëzit, gjë që ka kërkuar një përgatitje të posaçme dhe një punë shumë të detajuar të strukturës sonë që është marrë drejtpërdrejtë. Nuk ka dyshim që nxjerrja e atyre fëmijëve nga ai ferr, nuk është si nxjerrja e fëmijëve nga kopshti apo shkolla. Është proces shumë i komplikuar. Janë në mes edhe disa prej prindërve që mbeten në pozicionet e tyre të radikalizuara, janë në mes forcat kujdestare të kampit, që janë të tjera forca, nuk janë forca të njëjta me ato me të cilët duhet diskutuar për të kaluar pa surpriza dhe gryka zjarresh, segmente të caktuara”.

Zoti Rama bëri të ditur se e gjitha është mundësuar falë strukturave të drejtuara nga komandanti i forcave të sigurisë libaneze gjenarali Abbas Ibrahim, me te cilin kryeministri pati sot një takim, ku siç tha ai u rikonfirmua vazhdimi i operacionit dhe për fëmijet e tjerë.

Nëna me tre fëmijët e saj dhe i mituri tjetër do të strehohen fillimisht në struktura të posaçme pritje. “Struktura është gati, jo vetëm për këta 4 fëmijë, por edhe për fëmijët e tjerë që presim nga pas, me të gjithë kujdesin e nevojshëm, me psikologë, mësues, me mjekë dhe sigurisht do të bashkëpunohet me të afërmit. Do të shikohet ecuria e këtyre fëmijëve, do të punohet hap pas hapi për t’i integruar pastaj në strukturat sociale, sipas gjykimit që do të japin edhe mjekët dhe psikologët”, shpjegoi kryeministri.

Në kampin Al Hawl, ku strehohen afro 70 mijë persona, përveç refugjatëve, mbahen të burgosur dhe disa mijëra familjarë të personave të përfshirë në radhët e organizatës terroriste ISIS. Në këtë kamp mendohet që të jenë të paktën 50 shqiptarë, pjesa dërrmuese fëmijë, por dhe gra.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG