Lidhje

Topalli rikthehet në politikë me Lëvizjen për Ndryshim


Në Shqipëri, ish kryetarja e Parlamentit dhe një prej ish figurave qëndrore të Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ju rikthye jetës politike aktive duke prezantuar të mërkurën në mbrëmje forcën e re Lëvizja për Ndryshim. Një kundërshtare e hapur, që në momentet e para, e kryetarit aktual të PD-së Lulzim Basha, dhe e lënë më pas jashtë listave për deputetë, së bashku me disa ish figura të tjera demokrate, zonja Topalli, gjatë viteve të fundit është shfaqur vetëm përmes deklaratave apo qëndrimeve personale ndaj zhvillimeve të ndryshme politike. Ndërsa mbrëmë përballë mbështetësish të saj, kryesisht të rinj dhe njerëz të paangazhuar më parë në politikë “e qartë se kemi përpara një punë të papërfunduar të nisur dekada më parë.. e vendosur për të mos qëndruar anash, për të mos heshtur, për të mos patur frikë jam sot bashkë me këta të rinj për t’i mbështetur në kauzën e tyre patriotike drejt një projekti të ri”.

Zonja Topalli bëri të qartë se ka vendosur të hyjë në një betejë me forcat kryesore politike në vene, majtas e djathtas. “Tre kryetarë nuk mund të mbajnë peng 3 milionë shqiptarë. Nuk duhet të ketë një Shqipëri të Ramës, një Shqipëri të Metës e një Shqipëri të Lulit. Shqipëria është vetëm e shqiptarëve. Dhe këta të fundit nuk mund të dorëzohen. Ata duhet ta rifitojnë atdheun e tyre”, theksoi ajo në prezantimin e nismës së re politike, duke shtuar se “këta të tre veprojnë sikur Shqipëria është prona e tyre, ekonomia e vendit është ndërmarrja e tyre dhe shqiptarët rrogtarët e tyre. Ata vendosin se kush duhet të bejë biznes me ata, kush duhet të punojë, kush jo, ku duhet të punojë, sa duhet të marrë, kush duhet të jetojë e punojë në Shqipëri dhe kush duhet të iki! Praktikisht vendi është pa alternativë”.

Zonja Topalli tha se vendi ndodhet përpara vështirësive të mëdha “ku nuk ka as qeveri as opozitë të besueshme; ku qytetari nuk ka ku të gjejë drejtësi sepse nuk ka as Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të lartë; ku Gjykata administrative është afër kolapsit dhe ata të shkallës së parë kanë degraduar…Por mos të pretendojmë se gjërat ndryshojnë nëse vazhdojmë t’i bëjmë në të njejtën mënyrë”, deklaroi ajo duke saktësuar se “unë nuk kam as para as vende pune për të ofruar. Ju ofroj vetëm sfidë! Nuk kam asnjë pushtet. Kam përvojën e nevojshme, vullnetin e palëkundur dhe besimin e patundur për të kontribuar që ky vend të bëhet. Kam frikë se nesër do jetë vonë. Koha është tani”.

Forca e re politike e zonjës Topalli, pason të paktën tre të tjera të lindura nga përplasjet në Partinë Demokratike. Pranverën e vitit të shkuar ishte ish nënkryetari demokrat që së bashku me disa ish anëtare dhe të forumeve drejtuese të PD që themeloi Bindjen Demokratike. Javët e fundit dhe dy deputetët Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi, të cilët nuk ju bindën vendimit të opozitës për të braktisur parlamentit, kanë njftuar për krijimin e partive të reja. Të katër këta emra ishin të mërkurën në faqen e parë të gazetës Rilindja Demokratike, organi zyrtar të PD-së, të cilësuar si “kukullat e Ramës”.

Zonja Topalli pati një përgjigje: “Praktikisht fushata ka nisur , por më shumë se kundra qeverisë është kundra lëvizjes që ende nuk ka lindur. Dhe më shumë se fushatë, është histeri nga paniku”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG