Lidhje

Dibër: Humbin jetën një inxhinier dhe dy minatorë


Dy minatorë dhe një inxhinier i minierave u gjetën pa jetë mëngjesin e të enjtes në një prej galerive të minierës “Balgjaj” të Selishtës, në bashkinë e Dibrës.

Trupat e tyre u gjetën në thellësinë 100 metër të galerisë së minierës pas rreth 48 orësh kërkimi nga forcat e policisë vendore dhe një ekip i specializuar i avari -shpëtimit të minierave.

Policia bëri të ditur se, nga hetimet e paraprake, dyshohet se minatorët kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga gazrat në brendësi të galerisë. Burimet vendore bënë të ditur emrat e viktimave.

Ato janë inxhinier Ismail Hoxha, 62 vjeç dhe minatorët Fatos Cesku, 55 vjeç dhe Rruzhdi Rushiti 29 vjeç.

Në zonën veriore të Shqipërisë gjenden një numër i madh minierash të periudhës së komunizmit, shumica jashtë funksionit.

Disa prej tyre vazhdojnë të shfrytëzohen në mënyrë të paligjshme nga biznese dhe banorë vendas.

Edhe minierat që janë në funksion, në më të shumtën e rasteve, kanë mangësi në kushtet e sigurisë teknike, gjë që ka sjellë ndër vite humbjen e jetëve të shumë minatorëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG