Lidhje

Trump fushatë në Pensilvani, Biden në Miçigan


Kur kanë mbetur vetëm tre ditë fushatë zgjedhore përpara ditës së zgjedhjeve, të dy kandidatët për president do të përqëndrohen të shtunën në shtetet që janë përcaktuese për rezultatin. Presidenti Republikan Donald Trump do të jetë në Pensilvani, ndërsa ish-Nënpresidenti Presidenti demokrat Joe Biden ka planifikuar takime në Miçigan.

Zoti Biden do të bëjë fushatë së bashku me ish-Presidentin Barack Obama për herë të parë gjatë fushatës. Të dy do të udhëtojnë drejt qytetit të Flintit dhe atij të Detroidit të shtunën, si pjesë e dy ditëve fushatë për të siguruar vota në Miçigan.

Në Detroit, fushatës do t'i bashkohet edhe këngëtari Stevie Wonder, i cili ka marrë pjesë në disa ngjarje politike të demokratëve, përfshirë fushatat e zotit Obama në 2008 dhe 2012, si dhe në 2016 kur për demokratët kandidonte Hillary Clinton.

Tubimi i parë i zotit Trump ishte në Njutaun të Pensilvanisë. Zoti Trump tha se demokratët janë të shqetësuar mbi votuesit që siç tha ai do t'i kthejnë shtetet në të kuqen e republikanëve natën e zgjedhjeve.

Një valë e madhe e kuqe po formohet. Aq të sigurt sa ndihemi të gjithë bashkë, po aq e sigurt është kjo valë që po formohet dhe ata e shohin këtë. Ata e shohin nga të gjitha anët dhe nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndalur”, deklaroi zoti Trump.

Zoti Trump planifikon të mbajë katër tubime në disa qytete të shtetit të Pensilvanisë të shtunën. Presidenti siguroi një fitore të ngushtë në këtë shtet në 2016 dhe po kërkon ta përsërisë atë edhe në 2020. Aktualisht sondazhet tregojnë se zoti Biden gëzon një avantazh të lehtë krahasuar me zotin Trump në këtë shtet.

Ndërkohë të premten presidenti u tha gazetarëve se ishte i pavendosur në lidhje me planet e tij mbi natën e zgjedhjeve pasi gazeta The New York Times njoftoi se ai i kishte anuluar planet për t'u shfaqur në një aktivitet në Hotel Trump International në Uashington.

"Nuk kemi marrë vendim", tha zoti Trump si përgjigje ndaj pyetjes së një gazetari rreth vendndodhjes së tij natën e zgjedhjeve. Zoti Trump tha se kufizimet e lidhura me koronavirusin të vendosura nga qeveria lokale në Uashington, përfshirë ndalimin e grumbullimeve të më shumë se 50 personave, ishin një nga faktorët që do të ndikonin vendimin.

Ju e dini, Uashingtoni është mbyllur. Kryetarja e Bashkisë e ka mbyllur. Ne kemi një hotel dhe nuk e di nëse do të lejohet ta përdorim apo jo, por di që kryetarja e bashkisë ka mbyllur Uashingtonin. Nëse ky është rasti, ndoshta do të qëndrojmë këtu ose do të zgjedhim një vend tjetër", shtoi zoti Trump.

Të premten, si zoti Trump ashtu edhe zoti Biden zhvilluan fushatë në shtetet qëndrore të SHBA-së. Zoti Trump ishte në Miçigan, Minesota dhe Uiskonsin, ndërsa zoti Biden zhvilloi takime elektorale në Minesota, Uiskonsin dhe Ajoa.

Miçigani ka 16 vota elektorale, Minesota dhe Uiskonsin kanë nga 10 secila ndërsa dhe Ajova 6.

Të premten në një tubim në Des Moines të Ajovës zoti Biden u tha mbështetësve të tij se shteti shënoi një shifër rekord ditore të infektuarish me koronavirus si dhe personave të shtruar në spital këtë javë. Ai tha se zoti Trump "ka hequr dorë" nga lufta ndaj virusit. Ndërsa zoti Trump u tha mbështetësve në një tubim jashtë në Waterford Township të Miçiganit se zoti Biden ka parashikuar një dimër të errët për shkak të pandemisë së koronavirus. "Pikërisht kjo i duhet vendit tonë, një dimër i gjatë e i errët dhe një udhëheqës që flet për të", tha zoti Trump.

Presidenti tha se një vaksinë e sigurt do t'u shpërndahej amerikanëve brenda pak javësh, duke shtuar se ajo do të jepej falas sepse siç tha ai "situata nuk është për fajin tuaj".

“Nuk është për fajin e askujt, ishte faji i Kinës”, tha zoti Trump.

Zakonisht sondazhet kombëtare e tregojnë zotin Biden në një avantazh prej 7 deri 8 për qind krahasuar me zotin Trump.

Sipas një mesatareje të sondazheve të mëdha të përpiluar nga faqja në internet Real Clear Politics, zoti Biden dhe zoti Trump janë të ngërthyer në një garë të ngushtë në shtete fushëbetejë si Florida, Arizona dhe Karolina e Veriut, ndërsa presidenti renditet pas zotit Biden në Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin.

Më shumë se 90 milionë amerikanë rezultojnë të kenë votuar deri në mesditën e së shtunës, më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votave të hedhura në vitit 2016, ose 138.8 milionë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG