Lidhje

COVID 19, në Shqipëri rekord rastesh të reja dhe shtrimesh


Në Shqipëri, përhapja e pandemisë Covid 19 po rëndohet dita ditës. Të dhënat e 24 orëve të fundit tregojnë një rritje të fortë të të infektuarve si dhe një shtim të të shtruarve në spitale

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, rastet e reja arritën në 381 të prekur, duke shënuar një rekord të ri. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e javës së shkuar me 298 të infektuar në ditë. Në total janë 21.904 raste që nga fillimi i pandemisë.

Paralelisht, edhe testimet në 24 orët e fundit ishin më të larta, me 1684 tamponë. Javën e shkuar mesatarja ishte 1398 testime në ditë.

Shqetësuese mbetet rritja progresive e të shtruarve në të tre spitalet ku trajtohen të prekurit me shenja klinike, Sipas të dhënave të fundit, në total janë 336 pacientë, nga të cilët 9 në terapi intensive ndërsa 4 të tjerë të intubuar.

Krahasuar me ditët e fundit, numri i viktimave në 24 orët e fundit zbriti në 5 vdekje, të moshave nga 54 në 66 vjeç, të gjithë me sëmundje të tjera shoqëruese. Javën që shkoi u shënua dhe numri më i lartë i vdekjeve me 47 viktima. Deri më tani janë 532 persona që kanë humbur jetën.

Kryeministri Edi Rama tha sot se rritja e numrave ishte diçka e parashikuar dhe se po veprohet në bazë të strategjisë së përgatitur për periudhën vjeshtë-dimër, duke ju përgjigjur në këtë mënyrë dhe akuzave të opozitës e cila prej kohësh flet për një situatë të rënduar dhe të papërballueshme nga strukturat spitalore. Por sipas zotit Rama “spitalet janë larg së qeni në kolaps. Vetëm para dy ditësh është hapur COVID 3, ku bëhet transferimi i pacientëve që janë pak më lehtë, pasi qëndrojnë në dy spitalet bazë. COVID 4 është gati dhe pret, në rast se do të jetë nevoja që të hyjë në sistem në funksion të kujdesit për ata që kanë nevojë të shtrohen”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG