Lidhje

COVID 19, masa të reja kufizuese në Shqipëri


Në Shqipëri, autoritetet shëndetësore njoftuan sot për marrjen e masave te reja kufizuese si pasojë e rritjes së shpejtë të rasteve pozitive me COVID 19. “Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik i Ekspertëve, pasi kemi analizuar situatën dhe risqet, ecurinë e epidemisë në vend dhe përgjigjen e qytetarëve ndaj masave të ndërmarra, kemi vendosur: Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura; Të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet; Të ndalohen konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë”, bëri të ditur anëtarja e Komitetit Teknik dhe Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico.

Ajo deklaroi se “situata mbetet e kontrolluar, por në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitive ditore, shprehur qartë me një rritje të incidencës 14 ditore në 243 raste për 100 mijë banorë”. Shtatë ditë më parë incidenca dy javore u ngjit nga 177.4 raste për 100 mijë banorë.

Rritje ka pësuar dhe raporti i rasteve aktive, i cili është në kuotën e 504 rasteve për 100 mijë banorë. Aktualisht në Shqipëri janë 14.685 persona aktivë, pak më shumë se gjysma e totalit të të infektuarve që nga fillimi i pandemisë. Gati 50 përqind e tyre, 7158 raste, janë vetëm në Tiranë. Kryeqyteti mbetet epiqendra e epidemisë, pasuar për nga rastet aktive nga Durrësi, me 1182 persona dhe Fieri me 1169 persona. Qarqet e tjera të vendit kanë më pak se 1 mijë persona aktivë.

Në 24 orët e fundit, rastet e reja rregjistruan një kapërcim të fortë, duke shënuar një tjetër rekord me 694 të infektuar, ose 92 të prekur më shumë, rritja më e madhe ditore deri më tani. Rastet e reja u konfirmuan në 28 bashki të vendit: 334 raste në Tiranë, 41 në Berat, 39 në Fier, 36 në Lushnje, 32 në Vlorë, nga 28 raste në Durrës, Gramsh, 19 në Kavajë, 17 në Sarandë, 14 në Mallakastër, 13 në Krujë, nga 12 raste në Kurbin, Mirditë, Gjirokastër, nga 10 raste në Lezhë, Pogradec, nga 7 raste në Kukës, Kuçovë, 6 në Korçë, 5 në Shkodër, nga 3 raste në Has, Pukë, nga 1 rast në Elbasan, Tropojë, Përmet, Dibër, Bulqizë, Peqin.

Të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë bënë të ditur se 6 persona kanë humbur jetën: mjeku 66 vjeçar Ilirjan Draçi, një 28 vjeçare, një 61 vjeçare, një 76 vjeçare, dhe një 78 vjeçar nga Tirana dhe një 63 vjeçare nga Elbasani. Në total llogariten 637 të vdekur.

Vazhdon e pandërprerë, rritja e numri të pacientëve në spitale, duke u ngjitur sot në 412 të shtruar, nga të cilët 10 në terapi intensive dhe 3 të intubuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG