Lidhje

Bagdad, 4 raketa godasin Zonën e Gjelbër, ku ndodhet ambasada amerikane 


FILE - Iraqi security forces gather at a checkpoint into the Green Zone in Baghdad, Dec. 10, 2018.
FILE - Iraqi security forces gather at a checkpoint into the Green Zone in Baghdad, Dec. 10, 2018.

Katër raketa goditën Zonën e Gjelbër në Bagdad të martën, sipas ushtrisë së Irakut, duke plagosur të paktën dy persona dhe duke sinjalizuar fundin e një armëpushimi jozyrtar të shpallur nga kryengritësit e mbështetur nga Irani në tetor.

Raketat u shkrepën nga lagjia al-Amin al-Thaniyah e Bagdadit, sipas deklaratës së ushtrisë irakiane.

Dy zyrtarë irakianë të sigurimit thanë se raketat shpërthyen vetëm 600 metra larg ambasadës amerikane dhe u interceptuan nga sistemi i mbrojtjes ajrore C-RAM i instaluar nga Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij viti.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Dy anëtarë irakianë të sigurisë u plagosën në këtë sulm, thanë zyrtarët. Ata folën në kushte anonimiteti në përputhje me rregulloret ushtarake.

Sulmet e shpeshta që kanë në shënjestër ambasadën amerikane kanë bërë që Uashingtoni të kërcënojë të mbyllë misionin e tij diplomatik në Bagdad dhe shkaktoi një krizë diplomatike para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Në mes të tetorit, grupet kryengritëse të mbështetura nga Irani njoftuan se do të ndalnin përkohësisht sulmet kundër pranisë amerikane në Irak, përfshirë ambasadën, me kusht që trupat e koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara të tërhiqeshin nga vendi.

Sulmi vjen pas një njoftimi të fundit nga Pentagoni për uljen e nivelit të trupave në Irak nga 3,000 në 2,500.

Një tërheqje e planifikuar ka qenë duke u zhvilluar në Irak për muaj me radhë, me tërheqjen e një numri trupash të koalicionit nga disa baza irakiane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG