Lidhje

Bizneset afro-amerikane dhe pandemia COVID-19


Bizneset afro-amerikane dhe pandemia COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Në SHBA, pandemia e koronavirusit ka detyruar rreth 40% të bizneseve në pronësi të afrikano-amerikanëve të mbyllen që nga muaji shkurt, krahasuar me 17% të bizneseve në pronësi të të bardhëve. Për t'i ndihmuar ata, një firmë gjigante e pijeve freskuese ka nisur një program për të mbështetur 500 biznese restorantesh në pronësi të afrikano-amerikanëve gjatë pesë viteve të ardhshme.

Pronarja e një dyqani akulloresh në Washington, Karin Sellers është përpjekur ta mbajë gjallë biznesin e saj që nga muaji mars, kur pandemia goditi vendin. Kriza e shkaktuar nga COVID-i ka bërë që fitimet e saj të bien. Zonja Sellers shpreson të marrë ndihmë nga firma e pijeve freskuese Pepsico, e cila ka njoftuar një grant prej 10 milion dollarësh në mbështetje të restoranteve afrikano-amerikane.

"Mendoj se është diçka shumë e nevojshme për biznesin tim, prandaj do të doja të aplikoja për një grant. Kjo do të më lejonte të vazhdoj punën, të shikoj gjithashtu se sa funksionin modeli i biznesit tim dhe nëse ai mund të rritet edhe në kohëra të mira", thotë pronarja e "Here's The Scoop!"

Përfaqësuesit e kompanisë Pepsico thonë se nisma synon t'u japë pronarëve të restoranteve më shumë sesa thjesht një nxitje financiare. Programi i ri i krijuar në partneritet me Lidhjen Kombëtare Urbane, do t’u ofrojë bizneseve afrikano-amerikane kapital, trajnim dhe këshilla se si mund të rriten më tej.

"Ky është në thelb një program i përshtatur për këto restorante. Kryesorja është që secilit restorant t'i jepet një mbështetje varësisht nga faza e zhvillimit në të cilën ndodhet,” thotë Scott Finlow i kompanisë Pepsico.

Kompania do të fillojë të pranojë aplikime në fillim të vitit të ardhshëm, për të ndihmuar rreth 500 biznese në pronësi të afrikano-amerikanëve në 12 qytete gjatë pesë viteve të ardhshme.

Pepsico thotë se të gjithë restorantet kanë vuajtur gjatë pandemisë, por në veçanti një kategori u përball me pengesa që u rënduan edhe më shumë nga COVID-i.

“Ka pabarazi historike dhe strukturore që ekzistojnë në biznesin e restoranteve, sidomos me bizneset e afrikano-amerikanëve. Këto pabarazi po dalin në pah më shumë nga ndikimi joproporcional i COVID-it," thotë zoti Finlow.

Virginia Ali ka në pronësi restorantin Ben’s Chili Bowl ndër më të njohurat në kryeqytetin e vendit. Ajo thotë se mbështetja është më e rëndësishme se kurrë për pronarët e restoranteve afrikano-amerikane.

"Mendoj se do të ishte mirë, ne jemi mirënjohës për mbështetjen. Ne kemi qenë pjesë e këtij qyteti prej 62 vjetësh. Është e rëndësishme t’i mbash hapur këto restorante, janë pjesë e komuniteti! Kur pandemia të ketë mbaruar, ne ende duam që këto restorante të vazhdojnë punën në komunitetin tonë," thotë Virginia Ali.

Para krizës, zonja Sellers bëri të pamundurën për të mbështetur të rinjtë që dëshironin të bënin karrierë në biznesin e restoranteve.

“Unë doja t'u mësoja të rinjve aftësi pune për të cilat ata kanë nevojë, si shërbimi i mirë ndaj klientit, edukimi i vetes. Gjithashtu do të doja t'u mësoja nga përvoja ime personale se si të drejtojnë financiarisht një biznes," thotë zonja Sellers.

Për të qenë në gjendje të mësojë të tjerët, vetë zonjës Sellers tani i duhet një nxitje financiare që ajo shpreson ta marrë nga kompania Pepsico.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG