Lidhje

Sekuestrohen sërish pasuritë e ish kryeprokurorit Llalla


Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të enjten se me kërkesën e saj, Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur sekuestrimin e pasurive të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Zoti Lalla është në pritje të gjykimit për akuzën e “mosdeklarimit të pasurisë”. Gjatë hetimeve ndaj tij, të cilat nisin që dy vite më parë, pasuritë e patundshme të zotit Llalla ishin vënë nën sekuestro dhe më herët, por në nëntor të vitit të kaluar, një gjykatëse paraprake, vendosi heqjen e kësaj mase, pasi prokuroria nuk ofroi, sipas saj, prova të mjaftueshme.

Por SPAK, shpjegoi se ai kishte nisur gjatë këtij viti një tjetër hetim pasuror ndaj zoti Llalla, këtë herë duke u bazuar të i ashtuquajturi ligji Antimafia, sipas të cilit, tani, barra e provës për të dëshmuar se pasuritë e sekuestruara janë të ligjshme, i takon ish Prokurorit të Përgjithshëm. Bëhet fjalë për një

apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë në vitin 2012; një sipërfaqe toke bujqësore prej 4.500 m², e blerë në vitin 2016; një jetër sipërfaqe, e llojit tokë arë,prej 12.300 m², ndodhur në Tiranë, e blerë në vitin 2017; një tjetër sipërfaqe toke prej 3 mijë metrash katrorë e blerë po në vitin 2017, si dhe 2250 metra katrorë, po e llojit tokë arë, ndodhur në Tiranë, blerë në të njejtin vit.

Në njoftimin e saj, SPAK thekson se “hetimet pasurore janë në vazhdim dhe ende nuk kanë përfunduar. Masa e sekuestrimit të pasurive të paluajtshme është autonome nga proçesi penal që është duke u zhvilluar ndaj shtetasit të mësipërm”.

Masa e marrë ndaj ish kryeprokurorit u përshëndet nga ambasadorja amerikane Yuri Kim. “SPAK po jep rezultate, duke përdorur Ligjin Anti-Mafia për fitimet e nxjerra nga korrupsioni. Ky është pikërisht lloji i çështjes së korrupsionit për të cilën SPAK u krijua, që ta ndjekë penalisht”, shkruajti ambasadorja Kim në një postim në Twitter.

Fillimisht, zoti Llalla, u dyshua për të paktën katër vepra penale, që nga mosdeklarimi i pasurisë, te mosdeklarimi i të hollave në kufi, shpërdorimi i detyrës dhe pastrimi i parave. Por në përfundim të hetimeve tre prej këtyre akuzave duket se nuk u arrit të provohen, dhe gjithshka u reduktua te mosdeklarimi i pasurisë, i konsideruar më shumti një kundravajtje penale që dënohet nga gjobë deri në 3 vjet burgim.

Zoti Llalla u largua nga detyra në përfundim të mandatit në dhjetor të vitit 2017. Pak muaj më pas, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se i kishte ndaluar atij dhe familjes së tij, hyrjen në Shtetet e Bashkuara, duke shpjeguar se Sekretari i atëhershëm i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Nga viti 2017 janë afro 170 zyrtarë dhe ish zyrtarë të cilëve u është mohuar ose revokuar viza për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e tyre në akte korrupsioni.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG