Lidhje

Vaksina dhe zgjedhjet mbizotërojnë zhvillimet në Uashington 


Vaksina dhe zgjedhjet mbizotëruan sërish zhvillimet në Uashington. Krahas njoftimit për miratimin e vaksinës së parë, edhe Gjykata e Lartë rrëzoi një padi të shtetit Teksas që synonte përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve.

SHBA, vaksina dhe zgjedhjet mbizotërojnë zhvillimet
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:47 0:00

Vaksina dhe zgjedhjet mbizotëruan sërish zhvillimet në Uashington. Gjatë natës, Presidenti Trump përshëndeti lajmin që prisnin të gjithë amerikanët.

“Mundësuam një vaksinë të sigurt dhe efikase pas vetëm nëntë muajsh”, tha Presidenti Trump.

Drita jeshile nga Administrata e Barnave dhe Ushqimeve (FDA) u dha disa orë pasi presidenti e kritikoi për procesin e ngadaltë, duke e quajtur një “breshkë e madhe dhe e ngadaltë”, si dhe duke i bërë thirrje komisionerit Stephen Hahn të “ndalonte së luajturi dhe të fillonte të shpëtonte jetë”.

Gjatë një telefonate më herët të premten, mediat njoftuan se shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, kishte sugjeruar madje shkarkimin e komisionerit Hahn nëse vaksina nuk miratohej me shpejtësi. Vetë agjensia e mohon të jetë zhvilluar një bisedë e tillë.

Ndërkohë Presidenti i zgjedhur Joe Biden u tha amerikanëve të lënë mënjanë politikën dhe t’i besojnë vaksinës.

“Dua t’ia bëj të qartë publikut: Të kemi besim tek kjo. Nuk ka influencë politike. Ka shkencëtarë të rangut të parë që po shqyrtojnë të gjithë elementët që duhet”, tha zoti Biden.

Ndërsa Joe Biden po krijon administratën e tij, Presidenti Trump përballet tashmë me atë që mund të jetë goditja e fundit ndaj përpjekjes së tij për përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Gjykata e Lartë refuzoi padinë e shtetit Teksas që synonte eliminimin e miliona votave të ligjshme.

Presidenti Trump u shpreh në Twitter se “Gjykata e Lartë na la vërtet në baltë. Pa mençuri! Pa kurajo!”.

Padia ishte kundër katër shteteve kyçe në betejën elektorale, Miçigani, Xhorxhia, Uiskonsin dhe Pensilvania, me qëllim heqjen e votave të tyre elektorale që shkojnë në favor të zotit Biden.

Avokati i presidentit, Rudy Giuliani, u shfaq i zemëruar duke i thënë kanalit Fox News se “Gjykata nuk pati kurajon ta trajtonte çështjen”.

Gjykata e Lartë, pjesë e të cilës janë edhe tre gjykatës të emëruar nga Presidenti Trump, u shpreh se padia nuk kishte bazë ligjore.

Padia ishte mbështetur nga mbi 120 ligjvënës republikanë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG