Lidhje

Nuk ka përparim në marrveshjen tregtare Britani-BE


Kryenegociatorët e Bashkimit Evropian dhe Britanisë u takuan të dielën në Bruksel në një përpjekje të fundit por të dështuar për kapërcimin e mospajtimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje tregtare pas Brexitit.

Arritja e marrëveshjes fillimisht do të shmangte kaosin e Vitit të Ri për kompanitë tregtare ndërkufitarë dhe pastaj do të sillte një masë sigurie për bizneset pas Brexitit.

Kryenegociatori i Britanisë, David Frost, u largua të dielën nga ndërtesa e Komisionit Evropian në Bruksel, pas një përpjekjeje të fundit për të arritur një marrëveshje tregtare me BE-në pas Brexitit.

Të dy palët u thanë qytetarëve që të përgatiten për mundësinë e një ndryshimi të shpejtë për Vitin e Ri, një ngjarje që gjithnjë e më shumë duket se do të kalojë pa ndonjë marrëveshje.

Ndarja pa marrëveshje do të sillte tarifa brenda natës dhe pengesa të tjera që do të dëmtonin të dyja palët, ndonëse shumë njohës ekonomie mendojnë se ekonomia e Britanisë do të goditej më shumë sepse vendi bën gati gjysmën e tregtisë me familjen më të madhe evropiane.

Ndërsa të dyja palët kërkojnë një marrëveshje me kushte të reja, pikëpamjet e tyre janë thelbësisht të ndryshme.

BE-ja frikësohet se Britania do të ulë standardet sociale dhe mjedisore dhe se duke investuar paratë e shtetit në industri dhe duke eliminuar shumë rregullore, do të bëhet rival i bllokut në ekonomi. Prandaj Bashkimi kërkon garanci kundër vendit fqinj që mund të dëmtojë bizneset e tij.

Presidentja e Komisionit Evropian, tha të dielën se bisedimet me Britaninë mbi një marrëveshje tregtare do të vazhdojnë.

“Ne diskutuam temat kryesore të pazgjidhura. Ekipet tona negociuese punuan ditë e natë gjatë ditëve të fundit. Përkundër rraskapitjes, pas pothuajsve një viti negociatash dhe pavarësisht faktit se afatet janë tejkaluar, mendojmë se është e përgjegjshme që të ecim përpara. Prandaj, kemi mandatuar negociatorët tanë të vazhdojnë bisedimet dhe të shohim nëse marrëveshja mund të arrihet në këtë fazë të vonë. Negociatat vazhdojnë në Bruksel”, tha Ursula von der Leyen.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pretendon se BE po përpiqet të lidhë Britaninë me rregulloret e bllokut për një kohë të pacaktuar, në vend që ta trajtojë atë si një vend i pavarur.

Ursula von der Leyen dhe Kryeministri Britanik Boris Johnson kishin caktuar të dielën si afatin e fundit për përparim ose dështim të negociatave, por lejuan skadimin e afatit për t’u dhënë më shumë kohë negociatorëve.

Më pak se tre javë nga largimi përfundimtar i Britanisë nga BE, aspektet kryesore të marrëdhënies së ardhshme midis bllokut me 27 vende dhe ish-anëtarit të tij mbeten të pazgjidhura.

XS
SM
MD
LG