Lidhje

Biden fushatë në Xhorxhia për kandidatët demokratë për në Senat


Presidenti i zgjedhur Joe Biden shkon të martën në shtetin e Xhorxhias për të mbështetur dy kandidatët demokratë për Senatin amerikan. Votimet e balotazhit në Xhorxhia, që zhvillohen në Janar, do të jenë përcaktuese se cila parti do të marrë kontrollin e Senatit gjatë dy viteve të para të presidencës Biden.

Zoti Biden do të bëjë fushatë në kryeqytetin e Xhorxhias, Atlanta, me të dy kandidatët, autorin e filmave dokumentarë Jon Ossof dhe klerikun Raphael Warnock.

Të dy demokratët do të përballen më 5 janar me ligjvënësit aktualë republikanë: zoti Ossoff me Senatorin David Perdue dhe zoti Warnock me Senatoren Kelly Loeffler.

Sipas anketave, garat janë shumë të ngushta. Presidenti Donald Trump dhe Nënpresidenti Mike Pence tashmë kanë zhvilluar fushatë në Xhorxhia në mbështetje të senatorëve Perdue dhe Loeffler.

Aktualisht, republikanët kanë një avantazh 50-48 mbi demokratët në Senat. Republikanëve u mjafton vetëm një fitore në Xhorxhia për të ruajtur kontrollin e Senatit, çka do t’u siguronte atyre shumicën në të gjitha komisionet dhe po ashtu të drejtën për të përcaktuar axhendën e Senatit.

Demokratëve u duhet t’i fitojnë të dy vendet, për një ndarje 50-50, çka do t’i jepte Zëvendës Presidentes së zgjedhur Kamala Harris votën përcaktuese dhe do t’u siguronte demokratëve shumicën e Senatit pas inaugurimit të dyshes Biden-Harris me 20 janar.

Xhorxhia ka një histori të gjatë si një shtet republikan, por nga ana tjetër, falë shtimit të numrit të banorëve që janë regjistruar për të votuar, demokratët kanë parë një rritje të mbështetjes për ta, duke e kthyer këtë shtet në një fushë-betejë politike.

Pas numërimit tre herë të 5 milionë votave që nga zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar, zoti Biden e mundi zotin Trump me më shumë se 11 mijë vota. Zoti Biden është kandidati i parë presidencial demokrat që fiton në Xhorxhia, që nga viti 1992.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG