Lidhje

Inaugurimi i presidentit: Masa të rrepta për mbrojtjen nga COVID


With Inauguration Day two months away on Jan. 20, 2021, construction crews work on the platforms where the president-elect will take the oath of office, at the Capitol in Washington, Nov. 18, 2020. (AP Photo/J. Scott Applewhite)
With Inauguration Day two months away on Jan. 20, 2021, construction crews work on the platforms where the president-elect will take the oath of office, at the Capitol in Washington, Nov. 18, 2020. (AP Photo/J. Scott Applewhite)

Komisioni i Inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden njoftoi të martën masat për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë ceremonisë që do të zhvillohet më 20 janar, në kushtet e krizës së koronavirusit, e cila u ka marrë jetën qindra mijëra amerikanëve.

Komisioni tha në një deklaratë se po bashkëpunonte me Komisionin e Përbashkët të Kongresit për Ceremonitë Inauguruese "në mënyrë që inaugurimi… të nderojë dhe të ketë tiparet e traditave të shenjta amerikane, duke bërë ndërkohë që amerikanët të ndihen të sigurt dhe që të parandalohet përhapja e COVID-19s".

Më 20 janar, zoti Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të bëjnë betimin në shkallët e Kapitolit në Uashington në kushtet e "protokolleve të fuqishme për mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë", pas të cilit zoti Biden do të mbajë fjalimin e inaugurimit, tha komisioni.

"Pjesëmarrja në ceremoni do të jetë jashtëzakonisht e kufizuar dhe parada vijuese do të ketë një formë të ndryshme,” thuhej në deklaratë.

Komisioni po u bën thirrje amerikanëve të qëndrojnë në shtëpi gjatë aktiviteteve përuruese të asaj dite.

Pandemia po vazhdon të ketë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin publik në të gjithë vendin. Amerikanët kudo duhet të bëjnë pjesën që u takon për të ngadalësuar përhapjen e virusit: të mbajnë maska, të qëndrojnë në shtëpi dhe të kufizojnë tubimet. Ne po u kërkojmë amerikanëve që të marrin pjesë në ngjarjet e përurimit nga shtëpia për të mbrojtur veten, familjet, miqtë dhe komunitetet," tha Dr. David Kessler, këshilltari kryesor mjekësor i Komisionit të Inaugurimit.

Prania e Presidentit Donald Trump në ceremoni ende nuk dihet. I pyetur gjatë një interviste me televizionin Fox News të transmetuar të dielën nëse do të merrte pjesë në ceremoni, zoti Trump, i cili vazhdon pa sukses betejën për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve, u përgjigj: "Nuk dua të flas për këtë."

SHBA vazhdon të shënojë shifra rekord përsa u përket infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi. Deri të martën pasdite, më shumë se 16.5 milionë nga 73 milionë raste me koronavirus në botë ishin në SHBA. Sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins, në SHBA ka patur deri tani më shumë se 301,200 vdekje nga COVID-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG