Lidhje

BE, Britania arrijnë marrëveshje tregëtare për periudhën pas Brexit-it 


Pas muajsh bisedimesh dhe pothuajse në minutën e fundit, Britania dhe Bashkimi Evropian arritën një marrëveshje të përkohshme për tregëtinë e lirë që mesa duket do të shmangë kaosin e Vitit të Ri për tregtarët ndërkufitarë dhe do të përcjellë një ndjesi stabiliteti për bizneset pas vitesh pasigurie lidhur me procesin e Brexitit.

Ndërsa ka mbetur vetëm pak më shumë se një javë deri në ndarjen përfundimtare së Britanisë nga BE-ja, Presidentja e Komisionit Evropian tha të enjten se më në fund ishte arritur një marrëveshje për Brexit-in.

"Më në fund arritëm një marrëveshje. Ishte një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë, por si rezultat kemi një marrëveshje," tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen."Është e drejtë, është një marrëveshje e ekuilibruar dhe është zgjidhja e duhur dhe e përgjegjshme për të dyja palët."

Kryeministri britanik Boris Johnson përshëndeti atë që ai e quajti "marrëveshja më e madhe tregëtare ndonjëherë" me Bashkimin Evropian, duke thënë se Britania kishte rimarrë kontrollin e ligjeve, kufijve dhe ujrave të veta të peshkimit.

"Arritëm marrëveshjen më të madhe me vlerë 660 miliardë paund në vit, një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregëtisë së lirë të ngjashme me atë të Kanadasë, mes Britanisë dhe BE-së”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Negociatorët e Bashkimit Evropian dhe Britanisë punuan gjatë natës dhe deri në prag të Krishtlindjes për detajet e fundit të një marrëveshjeje tregtare që do të shmangte një shkëputje kaotike ekonomike midis të dy palëve në Ditën e Vitit të Ri.

Tani pritet gara për të miratuar dhe ratifikuar marrëveshjen përpara se Britania e Madhe të largohet nga strukturat ekonomike të BE-së në fund të vitit.

Parlamenti britanik dhe ai evropian duhet ta ratifikojnë marrëveshjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG