Lidhje

Të pastrehët mes rrezikut nga koronavirusi dhe të ftohtit e dimrit


Pandemia i zuri qendrat amerikane për shërbimin e të pastrehëve në një udhëkryq: nga njëra anë rritja e kërkesave për shërbime, por në anën tjetër mundësitë e tyre në ofrimin e këtyre shërbimeve janë kufizuar. Operatorët e qendrave të strehimit, ndërsa punojnë me kapacitete të përgjysmuar për të respektuar masat kundër koronavirusit, po përballen me një ngarkesë të madhe ndërsa dimri po afron.

Në shumë qytete amerikane, ikja nga të ftohtit nënkupton ta kalosh natën në një depo, në një stacion të vjetër autobusi, shkollë, ose një burg të vjetër.

Të pastrehët mes rrezikut nga koronavirusi dhe të ftohtit e dimrit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00

Prandaj komunitetet përpiqen të gjejnë më shumë hapësira për të pastrehët në mes të pandemisë së koronavirusit.

Mbyllja e kafeneve, biblotekave dhe hapësirave tjera publike, kufizoi mjediset që mundësojnë ngrohje në një ditë të ftohtë.

Në qytetet që njihen për dimër të ashpër, siç është Portland në Oregon, të pastrehët po mbahen të sigurtë përmes strehimoreve të përkohshme.

"Jemi këtu në Portland, në qendër afër lumit, quhet kampi C3PO. Është një kamp për të pastrehët në periudhën e koronavirusit. Është e mrekullueshme. Po sjellin shtëpi të vogla për të gjithë, që secili të ketë vend për gjërat e veta”, thotë fidel Velazquez, i pastrehë.

Megjithatë, shumë hezitojnë të futen në strehimore nga frika se mund të infektohen nga virusi ndërsa ata që qëndrojnë jashtë marrin shërbime të pakësuara bamirësie nga mbyllja ose ulja e kapaciteteve për shkak të masave kundër COVID-19.

"Ne kemi një sistem të fortë strehimi për dimër, një sistem për mot të ashpër dhe çdo vit kemi një teori që nuk duam të qëndrojë jashtë asnjë njeri që duhet të ndodhet brenda. Është më e vështirë kur nuk mund të shfrytëzosh hapësira të mëdha për strehimin e shumë njerëzve”, thotë Deborah Kafoury bashkëthemeluese e zyrës ndërlidhëve për shërbimin e të pastrehëve në Portland të Oregonit.

Zyra ndërlidhëse bashkon burimet e qytetit dhe qarkut në atë rajon.

Kompania Pallet me seli në Seattle që krijon shtëpizat mobile, thotë se biznesi është duke lulëzuar dhe kërkesa për krijimin e strehimoreve të dimrit është shtuar gjithandej në qytete amerikane.

“Ndërsa dimri afron, po shohim rritje të kërkesave në qytete dhe qarqe që nxitojnë në ofrimin e një zgjidhje të sigurt dhe dinjitoze për banorët e pastrehë”, thotë Brandon Bills, drejtor i kompanisë Pallet

Në Itaka të Nju Jorkut, qendrat e shërbimeve për të pastrehët po përdorin një strategji të ndryshme.

Ata po ofrojnë më shumë shërbime për të pastrehët që jetojnë në kampe të jashtme, duke përfshirë testet për COVID-19 dhe trajtime shëndetësore për ata që diagnostikohen me sëmundjen.

Jose Ortiz, është një burrë i pastrehë që jeton në një tendë kampi, ku ai kaloi karantinën pasi doli pozitiv për koronavirus. Gjatë kësaj periudhe, ushqimi dhe kujdesi shëndetësor për të vareshin nga ndihmat humanitare.

"Ata sigurohen që ne marrin trajtimin dhe që të kemi qasje në telefona që përmes tyre të caktojmë takime me mjekët ", thotë ai.

Deb Wilke, koordinatore e për lehtësimin e krizave të të pastrehëve në qendrën “Second Wind Cottage” shpjegon mënyrën si funksionon kjo metodë.

"U linim gjëra tek porta dhe largoheshim që ata të dilnin dhe t’i merrnin ato. Kishim biseda por në distancë", thiotë ajo.

Çifti Tiecha Vannoy dhe Chris Foss po bëhen pjesë e strehimores së re në Portland.

Ata jetuan rrugëve për tre vite dhe ishin të frikësuar se mos infektohen me COVID.

Zoti Foss është i mbijetuar i kancerit dhe vuan nga mpiksjet e gjakut në këmbë, dy sëmundje që e fusin atë në listën e personave të rrezikuar nga koronavirusi.

Tani ata mund të qëndrojnë në një vend dhe të izoluar thotë zonja Vannoy.

“Nuk mund ta besoj. Ka kaluar kohë e gjatë dhe ai gjithmonë më thoshte mos e humb besimin por dje më ishte sosur durimi”, thotë zonja Vannoy ndërsa zoti Foss shton se nuk është njeri shumë fetar por që beson se Zoti u ndihmoi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG