Lidhje

Marrëveshja BE-Britani


Britania dhe Bashkimi Evropian ranë dakord më në fund të enjten për një marrëveshje të tregtisë së lirë, ndërsa kishin mbetur vetëm disa ditë përpara se të përfundonte periudha e tranzicionit të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga blloku. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell thotë se marrëveshja pritet tashmë të ratifikohet dhe se ky proces mund të sjellë të papritura.

Pas katër vitesh e gjysmë, gjatë të cilave u ndërruan tre kryeministra, u zhvilluan dy palë zgjedhje të përgjithshme dhe një referendum në 2016-n për largimin nga BE-ja, dalja e Britanisë u finalizua të enjten.

Palët ranë dakord mbi një marrëveshje tregtare me vlerë mbi 900 miliardë dollarë. Pas marrëveshjes, palët pretenduan fitoren.

"Do të ketë një zonë gjigande të tregtisë së lirë dhe ne do të jemi menjëherë anëtare të saj. Në të njëjtën kohë do të jemi në gjendje të bëjmë marrëveshjet tona të tregtisë së lirë si Mbretëri e Bashkuar", Kryeministri Britanik Boris Johnson.

Arritëm të dilnim me marrëveshjen më gjithëpërfshirëse që kemi pasur ndonjëherë. Kjo marrëveshje do të hyjë në histori”, tha Presidentja e Komisionit Evropina Ursula von der Leyen.

Teksti i marrëveshjes arrin në mbi dy mijë faqe dhe ka të ngjarë të shkaktojë debate të mëtejshme me publikimin e detajeve në ditët në vijim.

Marrëveshja siguron tarifa zero për mallrat, megjithë largimin e Britanisë nga tregu i përbashkët dhe doganat e BE-së.

Fakt është se kjo marrëveshje e bën më të vështirë tregtinë. Tregtia do të ngadalsohet e do të shtrenjtohet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së dhe kjo nga ana tjetër ka pasoja ekonomike. Por megjithatë ai ishte një fjalim fitoreje. Boris Johnson u zgjodh Kryeministër për të realizuar Brexit-it dhe e realizoi”, thotë Anand Menon, Drejtor i Programit Mbretëria e Bashkuar nën një Evropë që Ndryshon në kolegjin King të Londrës.

Në Londër, një qytet nën masa të rrepta bllokimi për shkak të koronavirusit, qarkullonte një ndjenjë lehtësimi.

Patëm një vit të tmerrshëm dhe ky është vërtet një lajm i mirë, sinqerisht. Më frikësonte fakti që mund të mos arrihej një marrëveshje”, thotë Lettie Maclean, banore e Londrës.

Është më mirë sesa të mos kishim fare marrëveshje, por prapë mbart të gjitha disavantazhet e largimit nga Bashkimi Evropian. Pra, bënë më të mirën e mundshme”, thotë Nicholas Yel, banor i Londrës.

Bisedimet tregtare ishin penguar për javë të tëra nga çështja e të drejtave të peshkimit. Marrëveshja do të thotë që flotat evropiane të peshkimit të heqin dorë nga 25 për qind e kuotave aktuale të peshkut, gjatë pesë viteve të ardhshme.

Parlamenti Britanik pritet ta miratojë me shpejtësi marrëveshjen më 30 dhjetor. Por në Bruksel, ligjvënësit e BE-së thonë se ata synojnë ta shqyrtojnë atë me kujdes dhe nuk do të nxitohen për ta ratifikuar. Kjo nënkupton të tjera pengesa përpara. Vota e Britanisë për të lënë Evropën konsumoi vite të tëra debati të ashpër politik e vazhdon ta mbajë vendin të ndarë. Një betejë jo vetëm për politikë e para, por dhe për identitet e vlera. Sipas parashikimit të vetë qeverisë, Brexit-i do t'i kushtojë Britanisë 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, vetëm vitin e ardhshëm. Por Johnson thotë se Britania do të përparojë fuqishëm jashtë BE-së. Kjo do të vihet në provë duke filluar nga 1 janari..

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG