Lidhje

Marijuanë në Skrapar, nën akuzë 22 persona


Të paktën 19 persona, mes të cilëve oficerë policie dhe zyrtarë vendor, u arrestuan, ndërsa për tre të tjerë u lëshua masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, gjatë një operacioni kundër kultivimit dhe trafikimit të marijuanës, përqëndruar në zonën e Skraparit. Operacioni ishte rezultat i një hetimi disa mujor të kryer nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pas sinjalizimeve të marra nga Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendëshme Tiranë.

Nga hetimet, janë dokumentuar 28 raste të kultivimit të kanabisit, ku janë sekuestruar rreth 5mijë bimë narkotike dhe 176 kg lëndë narkotike e paketuar në gjëndje të thatë, e gatshme për t’u trafikuar. Por e dhëna kryesore që rezulton nga ky operacion është kultivimi i marijuanës i shtrirë në të gjithë zonën e Skraparit. Sipas prokurorisë nga hetimet e kryera, si përgjimet telefonike, vëzhgimet e kryera nga policia gjyqësore është zbuluar se “ në territorin e rrethit të Skraparit ishin kultivuar bimë narkotike kanabisi në parcela dhe vende të ndryshme, pothuajse në gjithë këtë territor”. Prokurorët thanë se kanë dokumentuar ngritjen e impjanteve të vaditjes, vendqëndrimit dhe vendstrehimeve për punonjësit që punonin në këto parcela dhe gjithë infrastruktura e nevojshme për këtë aktivitet kriminal që ishte krijuar nga personat e akuzuar.

SPAK bëri të ditur se "janë dokumentuar veprime të paligjshme të 4 punonjësve të policisë: Neritan Naska, Shef i Policisë Poliçan, si dhe Klement Zeqo, Bardhyl Çela dhe Astrit Duro me detyrë punonjës policie". Po sipas prokurorisë speciale nën akuzë janë edhe kreu i Njësisë Administrative Tërpan, Edmond Zotko si dhe kryeplaku i fshatit Çorrogjaf Fatos Lamaj, të cilët dyshohet se “në bashkëpunim me njëri tjetrin, sipas funksioneve dhe roleve, me veprime dhe mosveprime, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në territorin ku ushtrojnë detyrat funksionale, si dhe kanë favorizuar autorët që kanë kryer kultivimin e bimëve narkotike”.

Ndaj personave që dyshohet të jenë përfshirë në këtë aktivitet, rëndojnë akuza të ndryshme, që nga “Kultivimi i bimëve narkotike” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal” dhe ”Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, apo dhe “Shpërdorim i detyrës”, siç duket të jetë rasti i punonjësve të Policisë dhe zyrtarëve vendorë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG