Lidhje

SHBA, 3 ligjvënës me koronavirus, pas mbylljes për t'u mbrojtur nga protestuesit


Brad Schneider u bë i treti demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve që rezulton pozitiv për COVID-19 pasi u detyrua të mbyllet në një dhomë me disa kolegë republikanë që nuk pranonin të vinin maskë, ndërkohë që vazhdonin protestat e dhunshme në Kapitol.

“Të mërkurën e kaluar, pasi i shpëtova një turme të dhunshme të nxitur nga Presidenti për të sulmuar Kapitolin dhe ata që ishin brenda, u detyrova të kaloj disa orë në një ambjent të sigurtë, por të mbyllur me dhjetëra anëtarë të tjerë të Kongresit,” tha zoti Schneider të martën. “Disa ligjvënës republikanë në dhomë nuk pranuan të vinin maskë, megjithëse kolegët ia kërkuan,” tha ligjvënësi.

Ligjvënësja demokrate Pramila Jayapal tha të martën se kishte rezultuar pozitive dhe kritikoi republikanët që nuk pranuan të vinin maska gjatë periudhës në mjedisin e mbrojtur.

“Një numër mjaft i madh republikanësh nuk kanë pranuar ta marrin seriozisht këtë pandemi dhe virus dhe me këtë qëndrim kanë vënë të gjithë të tjerët rrotull tyre në rrezik,” tha zonja Jayapal. “Vetëm pak orë pasi Presidenti Trump nxiti një sulm vdekjeprurës kundër Kapitolit dhe vendit tonë, demokracisë sonë, shumë republikanë përsëri nuk pranonin të merrnin masat minimale mbrojtëse kundër COVID-19 dhe të vinin maskë në një dhomë të mbushur me njerëz në mes të pandemisë”.

Ligjvënësja Bonnie Watson Coleman rezultoi pozitive të hënën dhe tha përmes një deklarate se “një numër anëtarësh brenda mjedisit (ku ndodheshim) nuk përfillën udhëzimet për të vënë maskë”.

Kritikët e zonjës Jayapal kanë qarkulluar një video klip të regjistruar gjatë protestave ku ajo shihet pa maskë, kur shpejton për të dalë nga salla nga frika e turmës. Në video ajo shihet që ka në dorë një maskë kundragaz.

Asnjë nga republikanët që ishin në dhomë nuk kanë bërë komente publike lidhur me akuzat.

Mjeku i Kapitolit, Dr. Brian Moynihan, njoftoi të gjithë ligjvënësit fundjavën e kaluar se mund të kenë qenë në kontakt me persona të infektuar duke i nxitur të bëjnë analizat. Katër ditë pas protestave me dhunë, mjeku tha se “individët mund të jenë ekspozuar ndaj një personi të infektuar”.

Zonja Jayapal ka kërkuar të vihen “gjoba serioze” ndaj çdo ligjvënësi që “nuk pranon të vërë maskë në Kapitol”.

Ligjvënësja Watson Coleman është 75-vjeçe, ndërsa zoti Schneider është 59 dhe ligjvënësja Jayapal është 55 vjeçe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG