Lidhje

35 vite pas tragjedisë së anijes hapësinore “Challenger”


Challenger, 28 janar 1986

Para 35 vitesh shtatë astronautë vdiqën në bordin e anijes hapësinore “Challenger”, kur ajo shpërtheu pak pasi u ngrit në ajër. Aksidenti i 28 janarit 1986, vetëm 73 sekonda pas nisjes së fluturimit, shkaktoi vdekjen e ekuipazhit të anijes “Challenger” ku bënte pjesë edhe mësuesja Christa McAuliffe.

Ishte nënpresidenti i atëhershëm, George H. W. Bush, ai i cili në korrik të vitit 1985 i prezantoi Amerikës mësuesen Christa McAuliffe, modeste dhe entuziaste për misionin.

35 vjetori i tragjedisë së anijes hapësinore “Challenger”
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00


Disa muaj më vonë, në një mëngjes të ftohtë janari, ajo po ecte krah për krah me ekipin e anijes hapësinore “Challenger”.

Pas dy përpjekjeve të dështuara për nisje drejt hapësirës, anija “Challenger” u ngjit në qiellin mbi Kepin Canaveral të Floridës.

Pak pas nisjes, anija shpërtheu duke u shkatërrurar në sytë e familjeve të astronautëve dhe atyre që erdhën për të parë nisjen historike të mësueses së parë në hapësirë.

Qielli ishte i pastër dhe blu. Anija “Challenger” u shpërbë mbi Atlantik.

Aksidenti u mori jetën të shtatë anëtarëve të ekuipazhit.

Atë natë, Presidenti Ronald Reagan iu drejtua kombit.

"Sot është një ditë zije dhe kujtimi. Jemi shumë të prekur nga tragjedia e anijes Challenger. E dimë se këtë dhimbje e ndajmë me të gjithë njerëzit e vendit tonë. Kjo është vërtetë një humbje për kombin”, tha atë natë zoti Reagan.

Aksidenti dëmtoi imazhin e NASA-s dhe shkaktoi humbje të besimit se fluturimi në hapësirë mund të bëhej rutinë si udhëtimet me aeroplan.

Muaj pas tragjedisë u bë i ditur shkaku. Dështimi në një nyje mekanike shkaktoi rrjedhje në njërin përforcues të raketës.

Një hetim zbuloi se disa punëtorë kishin paralajmëruar NASA-n për rrezikun e nisjes së anijes, sepse këto unaza O dobësoheshin në mot të ftohtë.

Por NASA ishte nën presion që të realizohej udhëtimi ambicioz ndërsa rreziku u konsiderua si i pranueshëm.

Hetimi për shkakun e aksidentit zbuloi se agjencia hapësinore merrej më shumë me oraret dhe marrëdhëniet me publikun sesa sigurinë dhe vendimmarrjen e duhur.

Dhjetë vite pas aksidentit, nëna e Christës, Grace Corrigan, tregon fotografitë me kujtime në shtëpinë e familjes në Framingham të Masaçusets.

"24 fluturime shkuan në rregull, dhe të gjithë menduam se NASA nuk lë vend për befasi. E dinim që kishte rrezik. Rreziku ekziston edhe kur kalon rrugën. Por ne kishim ndjenjën se NASA do t’i mbronte nga gjithçka. Natyrisht, Christën e kishin njoftuar për rreziqet. Ata kishin bërë stërvitje të shumta për dalje nga situata të këqija. Por nga kjo nuk kishin si të shpëtonin”, kishte deklaruar Grace Corrigan, 10 vite pas aksidentit.

Zonja Corrigan vdiq në vitin 2018, në moshën 94 vjeçare.

Në 30 vjetorin e tragjedisë më 2016, emrat e ekipit të anijes “Challenger” u lexuan gjatë një ceremoni përkujtimore. Ish-astronauti Jon McBride e kishte të vështirë t’i përmbante emocionet teksa i thoshte një nga një emrat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG