Lidhje

Stërvitja “Defender Europe 2021”, Gjenerali amerikan Jarrard në Tiranë


Shqipëria po vijon përgatitjet për të mikpritur një prej stërvitjeve më të mëdha ushtarake në Europë “Defender Europe 21” e cila pritet të zhvillohet nga data 1 maj deri më 14 Qershor, duke përfshirë dhe vende të tjera të rajonit të Ballkanit dhe Detit të Zi. Stërvitja, në të cilën janë parashikuar të angazhohen 17 mijë trupa amerikane dhe 14 mijë të tjera nga 26 vende anëtare të NATO-s, drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë.

Përgatitjet për këtë stërvitje ishin në qendër të bisedimeve që Gjeneral Major Joseph Jarrard, Zëvendës Komandant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Europë pati me autoritetet shqiptare. Ai mori pjesë së bashku me ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim, dhe në një takim të posaçëm të thirrur nga presidenti Ilir Meta me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare, ku merrte pjesë dhe kryeministri Edi Rama, anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, si dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha. Në një postim në llogarinë Facebook të ambasadës amerikane në Tiranë, zëvendës Komandanti i trupave amerikane në Europë, theksoi se “ndërsa ne jemi ende duke planifikuar stërvitjen DEFENDER-Europe 21, presim që Shqipëria të ketë një rol të rëndësishëm në këtë stërvitje madhore ushtarake. Shqipëria do të jetë një vend kryesor pritës për veprimtaritë e shumta ushtarake që po afrojnë, dhe kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë në rajon”.

Presidenti Meta u shpreh pas takimit se “qëllimi i tij takimi, ishte koordinimi i masave paraprake, me objektivin e qartë, që faza përmbyllëse e kësaj stërvitje të madhe të realizohet me sukses të plotë”. Ai nënvizoi më tej se “NATO dhe partneriteti strategjik me SHBA janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin. Besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj tyre janë unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni europian i Shqiptarëve”, - tha Presidenti Meta, ndërsa theksoi rëndësinë dhe impaktin e madh, që kjo stërvitje, do të ketë në rritjen e aftësisë ndërvepruese mes strukturave ushtarake të vendeve të ndryshme aleate, si dhe në forcimin e paqes, stabilitetit e sigurisë në rajon e më gjerë.

Më herët Gjeneral Majori amerikan takoi ministrin shqiptar të Mbrojtjes Niko Peleshi. Gjenerali Jarrard vlerësoi rolin e Shqipërisë në Nato dhe partneritetin e saj me Shtetet e Bashkuara. Ministri shqiptar nga ana e tij bëri të ditur se “Ministria e Mbrojtjes, ka gjetur mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar të të gjitha strukturave të shtetit shqiptar, me qëllim realizimin me sukses të stërvitjes “Defender Europe 21”. Personeli ushtarak shqiptar prej muajsh tashmë është angazhuar në identifikimin, ndjekjen dhe zbatimin në terren të çdo detyrimi që na lind nga kjo stërvitje”, theksoi zoti Peleshi duke saktësuar se gjatë stërvitjes do të respektohen protokollet më të mira shëndetësore dhe të gjitha rekomandimet e Organizatës Botërore Shëndetësore, për parandalimin dhe përhapjen e virusit “COVID 19”. Për ministrin shqiptar “kjo stërvitje është jo vetëm një mundësi e rrallë përsa i përket sfidës profesionale që mbart për Forcat tona të Armatosura, por sigurisht është mbi të gjitha, një akt besimi dhe vlerësimi për vendin tonë.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG