Lidhje

Dyshimet për lidhjet e Ndrangheta-s, SPAK nis hetimet


Goditja në Itali dy javë më parë ndaj organizatës mafioze Ndrangheta do të pasohet dhe me hetime në Shqipëri, pas dyshimeve për shtrirje të aktvitetit të pjestarëve të kësaj organizate dhe në vend apo lidhjeve të mundshme me zyrtarë shqiptarë. Njoftimi u bë të enjten nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, ndërsa drejtuesi I saj dhe disa prokurorë të tjerë ndodhen në Itali për të disktuar me hologët e antimafies italiane pikërisht për këtë çështje.

“Në kuadër të sqarimit të rrethanave dhe fakteve që lidhen me objektin e hetimeve të këtij procedimi penal, sot me datë 04.02.2021 në selinë e Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë, u zhvillua një takim koordinativ. Takimi u realizua nën drejtimin e zotit Federico Cafiero de Raho, Drejtues i Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Itali dhe zotit Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme, Shqipëri, me pjesmarrjen dhe të prokurorëve italianë dhe shqiptarë që hetojnë këto dy procedime penale në shtetet respektive”, bën të ditur njoftimi nga SPAK.

Në Itali përfunduan nën hetim disa dhjetra persona, mes të cilëve biznesmenë dhe personazhe politike. Në dosjen e dërguar në Gjykatë nga Prokuroria Antimafia e Catanzaro-s, përgjimet përfshinin dhe biseda për shtirirje aktiviteti në Shqipëri, për investimin e parave të pista, ndërsa përmendeshin dhe emra politikanësh dhe zyrtarësh të lartë shqiptarë, përpjekje për korruptimin e tyre, për rryshfete deri në 20 përqind për leje ndërtimi apo marrje tenderash e koncensionesh në fushën e Shëndetësisë, apo Infrastrukturës.

Bisedat mes italianëve të përfunduar nën pranga, ngritën një furtunë politike në Shqipëri, dhe SPAK u vu në qendër të kritikave se përse nuk po niste hetime. Por njoftimi i sotëm saktëson se procedimi penal është rregjistruar që me datë 25 Janar, sapo tekstet e përgjimeve kishin nisur të botoheshin pjesë pjesë në mediat vendase. “Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e disa artikujve të publikuara në media të ndryshme, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros në Republikën e Italisë, të cilat hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në Republikën e Shqipërisë”, bëhet e ditur nga SPAK, ndërsa saktësohet se hetimi do të përqëndrohet për veprat penale ““Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG