Lidhje

Mianmar, dhjetëra mijëra në protesta kundër grushtit të shtetit


Dhjetëra mijëra njerëz dolën të dielën në rrugët e Mianmarit për të dytën ditë me radhë për të protestuar kundër grushtit të shtetit ushtarak të javës së kaluar si dhe për të kërkuar lirimin e udhëheqëses së zgjedhur Aung San Suu Kyi.

Demonstratat nisën në pjesë të ndryshme të qytetit Yangon, por më pas protestuesit u bashkuan në qendër të qytetit.

Grushti ushtarak është shkelje e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Është një fyerje ndaj vullnetit të popullit, ndaj ne jemi kundër tij”, tha për Zërit të Amerikës një nga drejtuesit e protestës. "Është e rëndësishme të respektosh rezultatin e zgjedhjeve dhe kjo është arsyeja pse ne ndodhemi këtu”, shtoi ai më tej.

Turma të mëdha protestuesish u raportuan sot edhe në qytete të tjera të vendit.

Me rritjen e protestave të shtunën autoritetet e Mianmarit ndërprerë shërbimin e internetit, por të dielën interneti u rivendos sërish.

Shumë prej protestuesve brohorisnin "jetë të gjatë nënës Suu", dhe "nuk duam diktaturë ushtarake".

Grushti ushtarak i shtetit në Mianmar filloi të hënën e kaluar me ndalimin e zonjës Suu Kyi, udhëheqëses de facto e vendit si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë. Suu Kyi vazhdon të jetë nën arrest shtëpie në rezidencën e saj zyrtare në kryeqytetin e vendit, Naypyitaw.

Zonja Suu Kyi përballet me akuza për importimin dhe përdorim të paligjshëm të gjashtë radiove të dores të paregjistruara të cilat u gjetën gjatë një kontrolli të shtëpisë së saj. Ushtria e Mianmarit ka thënë se vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme, që sipas planeve do të zgjasë për një vit, ishte e nevojshme pasi qeveria nuk kishte vepruar lidhur me dyshimet për manipulim të zgjedhje të nëntorit që u fituan me shumicë dërrmuese nga partia Lidhja Kombëtare për Demokraci e zonjës Suu Kyit.

Grushti ushtarak është dënuar nga Presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë botërorë, të cilët bënë thirrje që qeveria e zgjedhur të rikthehet në pushtet.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, lëshoi një deklaratë të përbashkët të enjten ku shprehu "shqetësimin e thellë" për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur nga ushtria.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG