Lidhje

SHBA, Kongresi shqyrton masa për lirinë globale të shtypit


Ligjvënësit amerikanë propozuan këtë muaj dy projektligje mbi lirinë e shtypit dhe mbrojtjen e gazetarëve në botë.

Projektligji për Lirinë Globale të Shtypit lindi si përpjekje dypartiake nga Senatori demokrat Brian Schatz dhe republikani Todd Young për të krijuar një post në rang ambasadori për lirinë e shtypit dhe për të trajnuar zyrtarët diplomatikë amerikanë për të nxitur pavarësinë e medias dhe për të mbrojtur gazetarët e huaj.

Ndërkaq, Projektligji Jamal Khashoggi për Përgjegjësi mbi Lirinë e Shtypit i propozuar nga Senatorja Amy Klobuchar dhe ligjvënësi Adam Schiff u pagëzua në nder të gazetarit të vrarë Khashoggi, i cili punonte për të përditshmen amerikane Washington Post. Ky projektligj synon të mbajë përgjegjës ata që shënjestrojnë gazetarët.

“Projekligji ynë i ri rithekson angazhimin tonë për një media të lirë në SHBA dhe jashtë vendit, duke i dhënë autoritetin Departamentit të Shtetit të angazhohet në shkallë globale në këto çështje në mënyrë diplomatike,” tha javën e kaluar përmes një deklarate zoti Schatz, i cili kohët e fundit iu bashkua Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Projektligji u përshëndet me entuziazëm nga aktivistët për lirinë e shtypit.

“Kur i mbyllet goja shtypit, korrupsioni, dhuna, pabarazia dhe abuzimi i autoritetit mund të shpëtojnë pa u diktuar,” tha sekretari i përgjithshëm i organizatës Gazetarët Pa Kufinj, Christophe Deloire. “Projektligji do të krijonte burime shtesë për qeverinë amerikane për të garantuar se zyrtarët qeveritarë punojnë për të krijuar një mjedis të sigurtë për gazetarët dhe për nxitjen e lirisë së shtypit në vende që ndjekin politika armiqësore ndaj gazetarëve”.

Annie Boyajian me Freedom House, tha se organizata e saj është “krenare që mbështet Ligjin për Lirinë Globale të Shtypit”.

“Me emërimin e një emisari për lirinë e shtypit do të krijohej vizibilitet për këtë çështje dhe do të krijohej një epiqendër për këtë përpjekje në Departamentin e Shtetit,” tha zonja Boyajian.

10 vjet më parë, Kongresi miratoi një ligj të ngjashëm. Ligji Daniel Pearl për Lirinë e Shtypit, i pagëzuar në kujtim të gazetarit të Wall Street Journal, i cili u rrëmbye dhe u ekzekutua nga ekstremistët në Pakistan në 2002, kërkon nga Departamenti i Shtetit të hartojë raporte me të dhëna mbi kufizimet mbi lirinë e shtypit, të cilat përfshihen në analizën vjetore të gjendjes së të drejtave të njeriut.

Në fjalimin e tij të parë mbi politikën e jashtme, Presidenti Joe Biden tha se “një shtyp i lirë është jetik për mirëqënien e një demokracie”. Në 2020, SHBA u renditën në vend të 45 nga 180 vende në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit të përpiluar nga Gazetarët Pa Kufinj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG