Lidhje

Opozita ruse përfshihet nga konflikti i brendshëm ndërsa vendi pret trazira të tjera


Një politikan liberal rus i mirënjohur ka ndezur një përplasje mes grupeve të opozitës së vendit duke sulmuar ashpër kritikun e Kremlinit Aleksei Navalni. Ai thotë se rruga ku zoti Navalni kërkon ta fusë vendin nuk do të siguronte një jetë pa shtypje.

"Të gjithë duhet të vendosin nëse duhet ta mbështesin Navalnin apo jo", shkruante në twitter këtë javë Grigori Javlinski. “Por ju duhet ta kuptoni se një Rusi demokratike, respekti për njerëzit dhe një jetë pa frikë e shtypje janë të papajtueshme me politikat e Navalnit”, shtoi ai.

Zoti Javlinski, i cili ka kandiduar dy herë për postin e presidetit të vendit, në 1996 kundër Boris Jelcinit dhe në 2000 kundër Vladimir Putinit, është themelues i partisë “Jablloko”, e cila favorizon ekonominë e tregut të lirë dhe liberalizmin social. Edhe në të kaluarën ai ka qenë kritik ndaj zotit Navalni dhe këtë javë ripërsëriti akuzën se politikani kryesor i opozitës ruse është ksenofob dhe një nacionalist autoritar.

Sulmi i zoti Javlinski ka shkaktuar ndarje brenda partisë që ai themeloi dhe ka sjellë përplasje më të gjera mes opozitës. Kjo vjen mes sinjalesh se protestat e fundit kundër Kremlinit dhe kërkesat që Navalni të lirohet nga burgu, nuk po përqafohen nga shumica e rusëve dhe se goditja e stilit paramilitar ndaj disidentëve po bëhet pengesë për të tjerë për të marrë pjesë në protesta ose të bëhen pjesë e ndonjë aksioni të ardhshëm politik.

Një sondazh i kryer nga qendra e pavarur “Levada” zhvilluar mes 29 janarit dhe 2 shkurtit tregon se ka pak oreks publik për trazira. Zoti Navalni u arrestua muajin e kaluar në Moskë, i sapo kthyer nga Gjermania, ku ndodhej për kurim pas një helmimi gati fatal, për të cilin ai fajëson Kremlinin.

Në dy javët e fundit, mbështetësit pro-Navalnit kanë protestuar në më shumë se njëqind qytete të Rusisë. Protestat më të mëdha u zhvilluan në kryeqytetin e vendit dhe Shën Petersburg. Më shumë se 11,000 vetë janë arrestuar në tubime kundër burgimit të Aleksei Navalnit, i cili u shndërrua nga një bloger në një aktivist anti-korrupsionit.

Sipas gjetjeve të qendrës së pavarur “Levada”, vetëm 15% e rusëve thanë se ishin të gatshëm për të marrë pjesë në protestat e ardhshme pro-Navalnit, ose katër përqind më pak sesa tregonin të dhënat e këtij sondazhi në muajin nëntor 2020. Përqindja u rrit në 17% kur u pyetën nëse do të bashkoheshin në tubime për të protestuar ndaj kushteve ekonomike. Këto shifra përfaqësojnë gatishmërinë më të ulët të rusëve për të protestuar që nga marsi i vitit 2018,

Sipas sondazhit, vetëm 22% e rusëve i shohin pozitivisht protestat e fundit politike. Të anketuarit më të rinj në moshë, të cilët tentojnë të informohen nga interneti e burime mediatike joqeveritare, i shohin protestat pak më të dobishme sesa rusët e moshuar, të cilët zakonisht i marrin lajmet dhe pikëpamjet e tyre nga kanale në pronësi të qeverisë ose të kontrolluara prej saj.

Kanalet e sponsorizuara nga qeveria kanë kryer sulme të pandërprera e të forta ndaj zotit Navalni dhe aleatëve të tij, duke i akuzuar ata si agjentë të fuqive të huaja.

Nga totali i përgjithshëm i të anketuarve, dy në pesë thanë se nuk pajtohen me protestuesit, 37% të tjerë shprehën indiferencë ndaj protestave politike. Sidoqoftë rusët presin më shumë probleme politike në të ardhmen me 45% të njerëzve që presin më shumë trazira, duke shënuar një rritje krahasuar me nëntorin e kaluar kur kjo shifër llogaritej në 23%, më e larta që nga viti 1998.

Gjetjet e sondazhit janë shqetësuese për mbështetësit e zotit Navalny, të cilët janë në proces riorganizimi për t'u përshtatur me numrin e lartë të aktivistëve të përkushtuar që aktualisht ndodhen në paraburgim. Javën e kaluar ekipi i zotit Navalny tha se synon t’i ndryshojë taktikat dhe të organizojë grumbullime njerëzish nëpër lagje këtë të dielë, në vend që të nxisë një numër të madh mbështetësish për të dalë në rrugë, duke rrezikuar më shumë ndalime dhe duke u dhënë shërbimeve të sigurisë një objektiv të lehtë për t'u goditur.

Turmat që grumbullohen nëpër lagje e shpërndandahen lehtë janë një taktikë që aktivistët pro-demokracisë kanë përdorur javët e fundit në Bjellorusinë fqinje.

Ndihmësit kryesorë të zotit Navalni po u bëjnë thirrje rusëve që të mblidhen pranë shtëpive të tyre në 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit, për të ndezur pishtarë e qirinj në formë zemre.

Aleksei Navalni u dënua për shkelje të kushteve të lirimit me kusht nga një dënim i vitit 2014 i akuzuar për mashtrim, një çështje që mbështetësit e tij, grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore thonë se është e sajuar dhe i motivuar politikisht.

Lufta e brendshme opozitare ishte diçka që pritej. Kundërshtarët e Presidentit Vladimir Putin i takojnë pothuajse gjithë spektrit politik, nga ultranacionalistët e djathtë tek komunistët e shkollës së vjetër e me një larmi grupesh liberale në mes. Në vitin 2016, përpjekja për të bashkuar në një aleancë të gjerë grupet e opozitës, nën emërtimin “Koalicioni Demokratik”, rezultoi jetëshkurtër.

Ajo u prish kur udhëheqësit, të cilët kishin për qëllim të punonin së bashku për të garantuar ndikim politik, filluan të konkurronin mes tyre e t'i fusnin njëri-tjetri shkopinj nën rrota.

Kremlini u dha goditjen e fundit kur në kanalin NTV të sponsorizuar nga qeveria u transmetua një video e ish-kryeministrit Mikhail Kasjanov, një politikan kryesor i opozitës liberale dhe një nga themeluesit e “Koalicionit Demokratik”, ku ai dëgjohej tek bënte komente përçmuese për aleatët e tij politikë.

Konfigurime të ndryshme të koalicionit kanë ekzistuar edhe më parë, por bashkëpunimi mes tyre ka qenë gjithmonë i vështirë dhe i përkohshëm. Kritika publike e zoti Javlinski ndaj zoti Navalni këtë javë ka ekspozuar edhe një herë përçarjet dhe armiqësitë politike.

Aleatët e zotit Navalni e kanë nxitur “Jabllokon” të dëbojë zotin Javlinski dhe forumet e medias sociale të opozitës janë përfshirë nga shkëmbime të ashpra, duke rritur shanset që grupet e opozitës të përfundojnë edhe një herë në grindje dhe në drejtime të ndryshme ndërsa do të nisin fushatat për zgjedhjet parlamentare në shtator.

Zoti Navalni ka qenë më parë anëtar i “Jabllokos”, por u përjashtua në 2007 për shkak të asaj që anëtarët e tjerë të parties i panë si pikëpamje të papranueshme "nacionaliste". Në të kaluarën, kritiku i Kremlinit ka marrë pjesë në tubime të ultranacionalistëve dhe ka qenë kritik ndaj migrantëve, duke përdorur një gjuhë që kritikët e tij thonë se e bëjnë atë të papërshtatshëm për të qenë figura kryesore e opozitës kundër Vladimir Putinit.

Zoti Navalni mohon se është një ksenofob dhe thotë se u përjashtua nga “Jablloko” sepse nuk e fshehu faktin që donte të zëvendësonte zotin Javlinski.

Disa udhëheqës të “Jabllokos” janë zemëruar me sulmin e zotit Javlinski, pasi siç thonë ata vjen në një kohë të papërshtashme e rrezikon të shuajë entuziazmin e votuesve. Figura të tjera të opozitës thonë se zoti Javlinski nuk duhet të kritikojë dikë ndërsa ai ndodhet në burg si i burgosur politik dhe i paaftë për të mbrojtur veten.

Javën e kaluar, Mikhail Kodorkovski, ish manjati i naftës i cili ndodhet në internim jashtë vendit, tha se nuk pajtohet me zotin Navalni për disa çështje por shtoi se “kur një person shndërrohet në një të burgosur politik ai duhet të mbështetet”.

Në një intervistë për "Echo of Moscow", “Jehona e Moskës” një stacion radiofonik i pavarur, zoti Javlinski vuri në dukje se edhe ai kishte marrë pjesë në të kaluarën në tubime të ndaluara nga autoritetet. Ai shtoi se "mbështet të gjithë ata që janë në burg".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG