Lidhje

SHBA, BE: Krimea i përket Ukrainës


Në prag të shtatë vjetorit të pushtimit të Krimesë nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rikonfirmuar pozicionet e tyre se Krimeja i përket Ukrainës.

Në një deklaratë të Presidentit të SHBA-së Joe Biden thuhet se me pushtimin e Krimesë shtatë vite më parë Rusia shkeli ligjin ndërkombëtar e normat mbi të cilat vendet moderne angazhohen me njëra-tjetrën si dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të fqinjit të saj, Ukrainës.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah Ukrainës dhe aleatëve e partnerëve të saj sot, siç ka bërë që nga fillimi i këtij konflikti. Në këtë përvjetor të zymtë, ne ripohojmë një të vërtetë të thjeshtë: Krimea është Ukrainë”, tha presidenti amerikan.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë aneksimin e gadishullit nga Rusia dhe ne do të qëndrojmë me Ukrainën kundër akteve agresive të Rusisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për abuzimet dhe agresionin e saj në Ukrainë”, thotë presidenti amerikan.

Ndërkohë në një deklaratë të sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken thuhej se sanksionej e SHBA-së ndaj Rusisë do të jenë në fuqi derisa Moska të ndryshojë kursin e saj në lidhje me Ukrainën dhe Krimenë.

Në cilësinë e presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas përsëriti qëndrimin e BE-së që dënon aneksimin e Krimesë nga Rusia. BE e sheh këtë veprim si shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Këshilli riafirmon "mbështetjen e tij të qartë e të patundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht", tha zoti Maas në një deklaratë.

Deklarata i bën thirrje Rusisë "të pajtohet plotësisht me ligjin ndërkombëtar humanitar dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë lejimin e mekanizmave rajonalë e ndërkombëtarë të monitorimit të të drejtave të njeriut, si dhe organizatave joqeveritare të të drejtave të njeriut në Krime dhe Sevastopol".

Më 27 shkurt të 2014, trupat ruse u futën në Krime duke kapur pika strategjike të saj si dhe institucionet përfshirë Këshillin e Lartë apo Parlamentin e Krimesë. Pas kësaj qeveria u shpërbë dhe u vendos një Kryeministër i ri pro-Rus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG