Në Shqipëri Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkruan sot një marrëveshje përmes së cilës ato përcaktojnë linjat kryesore të bashkëpunimit mes tyre në rast të një fitoreje në zgjedhjet e 25 Prillit. Demokratët do të hyjnë në zgjedhje me një listë të përbashkët me 12 parti të tjera opozitare, ndërsa LSI-ja do të garojë e vetme me një listë të sajën. Po sot Kryetari i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i bëri thirrje të gjitha forcave politike në vend që t’i dorëzojnë sa më parë listat e kandidatëve e të mos i lënë për afatin e fundit, më datë 8 mars.
Pak muaj pas zgjedhjeve të 2017, në përfundim të të cilave, doli në opozitë, Lëvizja Socialiste per Integrim, ju bashkua Partisë Demokratike dhe partive të tjera të djathta për t’i dhënë jetë Frontit të Bashkuar Opozitar, me synim rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Sot pas katër vitesh dy forcat kryesore të opozitës firmosën një marrëveshje, për objektivat e përbashkët në drejtimin e vendit, në rast fitoreje në zgjedhjet e 25 Prillit.Për kreun demokrat Lulëzim Basha, marrëveshja e sotme shënon hapin e parë të një udhëtimi të përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë, siç u shpreh ai. “Koalicioni ynë, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka bashkuar të gjitha forcat për të garantuar që 25 prilli të jetë dita e ndryshimit. Pas 8 vite dështimesh, 8 vitesh premtimesh boshe, pas 8 vitesh ku Shqipëria ka mbetur vendnumëro në të gjitha drejtimet, ndërsa vendet e ngjashme me ne kanë përparuar dhe janë përmirësuar, ka ardhur koha që të ndryshojmë”, theksoi zoti Basha.
Nga ana e saj kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ndërsa foli për një ditë historike për të dyja partitë, nënvizoi, se ato angazhohen të punojnë së bashku pavarësisht dallimeve. “Ne si LSI dhe PD do të vijojmë të jemi dy entitete, me identitetin e tyre. Do të vijojmë, që në kohëra mund të kemi mund të kemi edhe kundërshtime për politika të caktuara, por zotohemi se do të gjejmë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit dhe të punojmë fort me njëri tjetrin, duke vendosur gjithmonë përpara interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, u shpreh zonja Kryemadhi.
Në zgjedhjet e 25 Prillit, demokratët do ta paraqiten me një listë të përbashkët kandidatësh se bashku me 12 parti të tjera të vogla aleate. Ndërsa LSI-ja do të garojë e vetme me një liste të sajën.
Sipas tekstit të marrëveshjes, një zgjedhje e tillë është bërë “për të realizuar një përfaqësim të plotë dhe sa më gjithëpërfshirës politiko-elektoral dhe kurorëzimin e fitores së Opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit 2021”, saktësohet në tekstin e dokumentin.
Të dyja partitë angazhohen gjithashtu “të respektojnë shtyllat themelore programore të të dy partive respektive në qeverisjen e ardhshme”, ndërsa shpjegojnë se “përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor”.
Ndërsa të gjitha forcat politike dhe koalicionet janë rregjistruar pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, të hënën e ardhshme skadon afati për rregjistrimin e kandidatëve. Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, bëri sot thirrje për dorëzimin brenda afateve dhe jo në momentin e fundit, të dokumentacionit të kandidimit, ndërsa disa ditë më parë ai ju bashkua thirrjeve të përfaqësuesve të Komunitetit Ndërkombëtar që në lista të përzgjidhen kandidatura me integritet.
Facebook Forum