Lidhje

Rriten sulmet ndaj amerikano-aziatikëve


Amerikano-aziatikët janë gjithnjë e më të shqetësuar nga një rritje e mprehtë të sulmeve dhe grabitjeve që kanë vënë në shënjestër komunitetet e tyre. Rritja e krimeve ndaj të moshuarëve aziatiko-amerikanë veçanërisht gjatë dy muajve të fundit, ka rigjallëruar thirrjet për më shumë vëmendje nga politikanët dhe media.

Rriten sulmet ndaj amerikano-aziatikëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

Sulmet kundër komunitetit aziatiko-amerikanë janë në rritje. Iona Cheng, është një nga viktimat e këtyre sulmeve.

"Ndërsa m’u afruan, më shtynë përtokë dhe më goditën. Iu rezistova. Bërtita dhe ulërita. Gratë dhe të moshuarit aziatiko-amerikanë janë vënë në shënjestër. Shpesh për arsye kulturore, ata hezitojnë të flasin dhe të ngrenë akuza," thotë zonja Cheng.

Që nga fillimi i pandemisë, më shumë se 3,000 incidente të ngacmimeve verbale dhe sulmeve fizike janë raportuar në qendrën “Stop AAPI Hate”, një organizatë jo-fitimprurëse që gjurmon incidentet e diskriminimit, urrejtjes dhe ksenofobisë kundër aziatiko-amerikanëve.

Frika ka pushtuar komunitetin në lagjen Chinatown në Oakland të Kalifornisë, i cili është goditur nga një mori sulmesh dhe grabitjesh mbi banorët, blerësit dhe bizneset. Shumë nga incidentet janë kapur në kamerat e vëzhgimit.

"Që nga pandemia, situata është përkeqësuar shumë më tepër. Ajo që po shohim, është jo vetëm rritja e numrit të sulmeve, por edhe serioziteti i tyre. Sulmet po bëhen gjithnjë e më të dhunshme," thotë Carl Chan, presidenti i Dhomës së Tregëtisë në Chinatown Oakland.

Shumë banorë të këtyre komuniteteve, pronarë biznesesh dhe vullnetarë kanë filluar të patrullojnë në rrugët e lagjes Chinatown në Oakland për të parandaluar kriminelët e mundshëm. Vullnetarët me jelekët blu janë të pajisur me mjete paralajmëruese dhe telefona për të raportuar aktivitete të dyshimta.

"Duam të sigurohemi që klientët tanë mbrohen dhe të inkurajohen të ndihen të sigurt për të ardhur në lagjen Chinatown", thotë Frannie Mok, i cili ndihmon në organizimin e patrullimeve vullnetare.

Rritja e krimeve që kanë në shënjestër aziatiko-amerikanët e moshuar dy muajt e fundit, ka rigjallëruar thirrjet për më shumë vëmendje nga politikanët dhe media. Ato përfshijnë sulmin muajin e kaluar ndaj një 84-vjeçari nga San Francisco, i cili vdiq pasi u shty përtokë.

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom nënshkroi një ligj që jep 1.4 milionë dollarë për organizatën Stop AAPI Hate dhe Qendrën e Studimeve Amerikane Aziatike të Universitetit të Kalifornisë UCLA. Financimi do të shkojë në drejtim të burimeve të komunitetit dhe në ndjekjen e mëtejshme të incidenteve të urrejtjes kundër aziatikëve.

Zyrtarët lokalë dhe qytetarët gjithashtu po tregohen më të vëmendshëm. Nisma si shtimi i pranisë së policisë, patrullimet vullnetare dhe linjat telefonike për të evidentuar krimet po vihen në zbatim.

Cynthia Choi, me organizatën Stop AAPI Hate, thotë se racizmi dhe dhuna kundër aziatikëve nuk është diçka e re në Shtetet e Bashkuara, por ajo është përkeqësuar që kur filloi pandemia, kur Donald Trumpi fajësoi Kinën për virusin, dhe e quajti COVID-19 "virusin kinez".

"Aziatikët janë vënë në shënjestër dhe janë fajësuar për pandeminë. Është diçka që zyrtarët qeveritarë e kanë përdorur si retorikë për të fajësuar komunitetet tona dhe që ka çuar në këto sulme kundër tyre", thotë zonja Choi.

Dy muaj pasi u grabit, zonja Cheng thotë se ende nuk ndjehet e sigurtë të ecë vetëm në lagjen e saj.

"Si viktimë, unë e kuptoj sa e vështirë është të flasësh kundër këtyre krimeve. Por e ndjej se është shumë e rëndësishme të vësh në dijeni të tjerët për atë që po ndodh në komunitetin tonë dhe të mbështesim njëri-tjetrin".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG