Lidhje

Komuniteti katolik i një qyteti irakian përgatitet për vizitën e Papa Françeskut 


Kur luftëtarët e Shtetit Islamik në vitin 2014 po i afroheshin qytetit të Karakoshit në Irakun verior, një familje iku po atë natë pasi varrosi djalin nëntë vjeçar, viktimë e luftimeve. Tani ajo dhe familjet e tjera të krishtera po kthehen ngadalë në shtëpitë e tyre për të pritur Papa Françeskun.

Vetëm disa vjet më parë, një shërbesë e krishterë lutjesh në këtë qytet verior të Irakut do të kishte qenë e paimagjinueshme. Në vitin 2014, luftëtarët e Shtetit Islamik e pushtuan qytetin e Karakoshit, duke ia ndryshuar jetën banorit Mazen Shemes.

“Në shtëpinë tonë ra një predhë mortaje. Djali im, djali i vëllait tim dhe fëmija i komshiut humbën jetën", tha ai.

Mazen Shemes, familja e tij dhe mijëra banorë të tjerë u larguan me nxitim nga qyteti. Ata nuk u kthyen për vite me radhë ndërsa luftimet në qytet shkatërruan shtëpitë dhe rrugët ku familjet e tyre kanë jetuar me breza.

Prifti Ammar Yako kujton ditën kur e pa kishën, më e madhja në Irak, për herë të parë pas çlirimit të qytetit nga Shteti Islamik në vitin 2016.

“Në fund të vitit 2016, hyra në qytet me forcat ushtarake që e çliruan atë. Ne kemi hyrë në këtë kishë më 25 tetor. Ajo ishte djegur dhe shkatërruar plotësisht”, thotë prifti katolik Ammar Yako.

Por më pas udhëheqësit fetarë filluan rindërtimin e kishës. Kryepeshkopi katolik Yohanna Petros Mouche dhe udhëheqës të tjerë hartuan një plan për të rindërtuar shtëpitë e banorëve me fonde nga organizatat e huaja jofitimprurëse të krishtera.

“Ne duhej të rindërtonim shtëpitë në mënyrë që njerëzit të mund të ktheheshin në qytet. Pas kthimit në shtëpitë e tyre, ata mund të rindërtonin kishat. Kjo u realizua me sukses”, thotë kryepeshkopi katolik i Mosulit, Yohanna Petros Mouche.

“Kur u kthyem, dorëzuam një kërkesë në kishë. Biseduam me At Georges dhe ata e rindërtuan shtëpinë tonë”, thotë banori i qytetit, Mazen Shemes.

Tani ka përfunduar rindërtimi i kishës katolike të qytetit dhe Papa Françesku pritet ta vizitojë atë më 7 mars. Iraku dikur kishte 1.5 milion të krishterë, por në 20 vitet e fundit ky numër ka rënë në treqind mijë. Udhëheqësit fetarë thonë se rindërtimi i shtëpisë së Maze Shemes dhe familjes së tij është një hap tjetër drejt rindërtimit të një komuniteti të goditur nga dhuna dhe lufta.Page Break

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG