Lidhje

Një protestues humb jetën gjatë ballafaqimit me policinë në Mianmar


Policia në Mianmar hapi zjarr të premten ndaj protestuesve që kundërshtojnë grushtin e shtetit, duke lënë të vdekur një person. Veprimet e juntës ushtarake po dënohen ashpër nga ndërkombëtarët, ndërkohë që Këshilli i Sigurimit përgatitet të diskutojë mbi krizën në atë vend.

Dhuna e së premtes ndodh ndërkohë që ushtria, e cila ka marrë kontrollin në Mianmar, humbi në një përpjekje për të ndryshuar udhëheqjen e përfaqësisë birmaneze në OKB. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar ndërkaq sanksione të reja që vënë në shenjestër konglomerate ushtarake, pas vdrasjes së dhjetëra protestesve civilë gjatë ditëve të fundit.

Aktivistët kërkojnë rikthimin e qeverisjes civile me në krye Aung San Suu Kyi. Protestat kanë përfshirë një numër qytetesh. Në qytetin e dytë më të madh të vendit, Mandalej, mijëra vetë mbushën rrugët në demonstrata.

Në Jangon, policia përdori plumbat prej gome dhe granadat zhurmuese për të shpërndarë turmën, ku përfshiheshin edhe 100 mjekë që kishin dalë në demonstratë të veshur me bluza të bardha, siç njoftojnë dëshmitarët.

Në qytetin Pathein, në perëndim të Jangonit, si dhe në Miungian në qendër të vendit dhjetëra gra me kapele kashte kishin dalë të organizuara me pankarta ku bëhej thirrje për lirimin e udhëheqëses Aung San Suu Kyi.

Të enjten, policia shpërndau turmat e protestuesve me gaz lotsjellës dhe të shtëna zjarri në disa qytete, megjithëse reagimi ishte më i rezervuar se sa të mërkurën, kur sipas Kombeve të Bashkuara mbetën të vrarë 38 vetë në ditën më të përgjakshme të protestave.

Që nga grushti i shtetit i 1 shkurtit, në Mianmar janë vrarë të paktën 55 vetë.

Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet u bëri thirrje forcave të sigurisë të ndalin menjëherë “shtypjen e egër të protestuesve paqësorë”. Zonja Bachelet tha se 1,700 vetë janë arrestuar, ndër ta 29 gazetarë.

Një zëdhënës i juntës ushtarake nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike të agjencisë së lajmeve Reuters për të komentuar.

Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna e Kuqe thanë se disa vullnetarë të tyre janë lënduar ose janë arrestuar pa shkak dhe se ambulancat e organizatës janë dëmtuar.

Komandantët ushtarakë morën më 1 shkurt kontrollin e vendit, duke thënë se fitorja dërrmuese në zgjedhjet e nëntorit e Lidhjes Kombëtare për Demokraci, forca politike e zonjës Aung San Suu Kyi, ishte rezultat i manipulimeve. Komisioni zgjedhor ka thënë se zgjedhjet ishin të rregullta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG