Lidhje

Gjermania, Franca dhe Italia pezullojnë vaksinën AstraZeneca


Gjermania, Franca dhe Italia njoftuan të hënën pezullimin e vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca, duke iu shtuar numrit në rritje të vendeve që vendosën të ndalojnë ose pezullojnë shpërndarjen e vaksinës britanike pas njoftimeve për mundësinë e shfaqjes së efekteve serioze anësore, që përfshijnë hemorragjinë dhe mpiksjen e gjakut.

Gjermania, Franca dhe Italia pezullojnë vaksinën AstraZeneca
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00


Ministria e Shëndetësisë në Gjermani njoftoi se nga e hëna do të ndërpritet shpërndarja e vaksinës AstraZeneca.

“Vendimi i sotëm është thjesht masë parandaluese. Miliona vaksina të AstraZeneca-s janë shpërndarë në të gjithë globin. Të gjihë jemi të vetëdijshëm për pasojat e këtij vendimi dhe nuk ishte e lehtë ta merrnim,” tha Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.

Enti rregullator kombëtar i vaksinave, Instituti Paul Ehrlich bëri thirrje për hetime të mëtejshme të rasteve.

“Pas raportimeve të rasteve të trombozës të cilat kanë lidhje kohore me vaksinimin nga AstraZeneca, instituti rivlerësoi situatën dhe rekomandoi pezullimin e vaksinave për analiza të mëtejme,” tha Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.

Edhe vende të tjera evropiane si Irlanda, Holanda, Danimarka, Norvegjia dhe Islanda kanë pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës britanike.

Dr. Ronan Glynn, zëvendës zyrtari më i lartë mjekësor i Irlandës, tha të dielën se megjithëse nuk kishte asnjë lidhje përfundimtare midis vaksinës dhe incidenteve të mpiksjes së gjakut, ai do të rekomandonte pezullimin e përdorimit të saj si masë paraprake.

Në Norvegji ka pasur katër raste të mpiksjes së gjakut tek të rriturit e vaksinuar me AstraZeneca-n.

Kompania AstraZeneca thotë se nga analiza e të dhënave nuk ka gjetur prova se vaksina e saj shkakton mpiksje gjaku.

"Një rishikim i kujdesshëm i të gjitha të dhënave të sigurisë nuk ka nxjerrë prova të një rreziku në rritje të embolizmit pulmonar, trombozës së thellë të venave ose trombocitopenisë, në asnjë grupmoshë, gjini, grupim apo vend të veçantë," tha kompania të dielën.

Edhe Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se nuk ka asnjë tregues që rastet e mpiksjes së gjakut ishin të lidhura me vaksinën.

Në mbrojtje të vaksinës doli edhe Kryeministri britanik Boris Johnson, duke thënë se vaksina është e sigurt dhe se qeveria ka besim në vazhdimin e shpërndarjes së saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG