Lidhje

SHBA, akuzohen dy persona për spërkatjen e policit që vdiq në trazirat e Kapitolit


Capitol police officers in riot gear push back demonstrators who try to break a door of the U.S. Capitol on Wednesday, Jan. 6, 2021, in Washington. (AP Photo/Jose Luis Magana)
Capitol police officers in riot gear push back demonstrators who try to break a door of the U.S. Capitol on Wednesday, Jan. 6, 2021, in Washington. (AP Photo/Jose Luis Magana)

Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti të hënën akuza ndaj dy personave se kishin spërkatur me lëndë irrituese tre oficerë policie të Kapitolit, njëri prej të cilëve vdiq më vonë, gjatë sulmit të 6 janarit nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump, të cilët u përpoqën të përmbysnin humbjen e tij në zgjedhje.

Julian Elie Khater dhe George Pierre Tanios përballen me akuza të shumta, përfshirë sulmin ndaj policisë me një armë vdekjeprurëse, pas deklaratave të hetuesve se ata spërkatën të paktën tre oficerë me një agjent kimik të paidentifikuar, por të fuqishëm.

Një nga oficerët, Brian Sicknick, më vonë u dërgua me urgjencë në spital dhe vdiq të nesërmen.

Khater dhe Tanios nuk akuzohen për vrasjen e oficerit Sicknick, shkaku i vdekjes së të cilit mbetet i paqartë. Një burim policor tha se është ende herët për të ditur nëse Tanios ose Khater mbajnë drejtpërdrejt ndonjë përgjegjësi për vdekjen e oficerit Sicknick.

Sipas aktpadisë, FBI tha se dy personat "me sa duket e kishin llogaritur hedhjen e substancave kimike që kjo të përkonte me orvatjet e protestuesve për të hequr me forcë pengesat metalike që nuk po i lejonin protestuesit t’i afroheshin më shumë ndërtesës së Kapitolit".

Khater, 32 vjeç, nga State College i Pensilvanisë, u arrestua ndërsa po zbriste nga një aeroplan në Aeroportin Newark të Nju Xhersit. Tanios, 39 vjeç, nga Morgantown, i Virxhinias Perëndimore, u arrestua në banesën e tij.

FBI e gjeti Khater-in me anë të një informatori që punonte me të dhe që u dha atoriteteve adresën e faqes së tij në LinkedIn.

FBI tha se e identifikoi Tanios-in përmes dëshmitarëve që e njohën foton e tij, përfshirë një ish partner biznesi i cili tha gjithashtu se personi në fjalë ishte përfshirë në një mosmarrëveshje ligjore mes akuzave se kishte përvetësuar 435,000 dollarë në një sipërmarrje të mëparshme biznesi.

Sipas një dokumenti gjyqësor, qeveria po përpiqet ta ndalojë atë.

Në aktpadi thuhej se oficerët ishin verbuar përkohësisht dhe kishin mbetur me aftësi të kufizuara për shkak të substancës së përdorur nga dy të akuzuarit.

Ndaj më shumë se 300 personave janë ngritur tashmë akuza në lidhje me trazirat e Kapitolit më 6 janar nga një turmë mbështetësish të ish-Presidentit Donald Trump, të cilët shpresonin të ndalnin çertifikimin nga Kongresi të fitores së Presidentit Joe Biden në zgjedhje.

Pesë persona, përfshirë oficerin Sicknick, vdiqën në lidhje me sulmin vdekjeprurës dhe ligjvënësit u detyruan të largoheshin ose të fshiheshin kur protestuesit hynë në ndërtesë.

Në dokumentet e tij gjyqësore, Departamenti i Drejtësisë ka bërë të ditur se synon të paraqesë akuza kundër më shumë se 100 të pandehurve të tjerë. Departamenti tha se ky është hetimi më kompleks që ka trajtuar ndonjëherë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG