Lidhje

Vriten nëntë vetë në protesta në Mianmar


Nëntë persona u vranë të enjten në Mianmar, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP).

Demonstruesit dolën përsëri të protestojnë kundër juntës ushtarake në pushtet, një ditë pasi greva "e heshtur" e së mërkurës la rrugët e shumë qyteteve anembanë vendit praktikisht të zbrazëta.

Pati njoftime për ushtarë që përdornin forcën për të shpërndarë protestat në qytetin juglindor Mawlamyine dhe Hpa-An. Ushtarët gjithashtu u përplasën me protestuesit që mbanin vigjilje nën dritën e qirinjve në të gjithë vendin dhe pati njoftime për të paktën një person të vrarë.

AAPP tha se të paktën 320 njerëz janë vrarë nga forcat ushtarake. Një nga të vrarët ishte një vajzë 7-vjeçare e cila u qëllua të martën kur ushtarët hynë në shtëpinë e saj në Mandalay, sipas Myanmar Now dhe Reuters.

Fëmija thuhet se ishte ulur në prehrin e babait të saj kur ushtarët hynë brenda dhe kërkuan të dinin nëse të gjithë familjarët ishin në shtëpi. Babai tha po, por ushtarët e akuzuan atë se gënjente dhe hapën zjarr, duke goditur vajzën.

AAPP tha gjithashtu se më shumë se 2,900 njerëz janë arrestuar, akuzuar ose dënuar që nga fillimi i shtypjes. Por më shumë se 600 protestues u liruan të mërkurën nga burgu Insein në qytetin kryesor të Yangon në një gjest të dukshëm të vullnetit të mirë nga junta. Gazetari i Associated Press Thein Zaw, i cili u arrestua ndërsa po mbulonte një protestë në Rangun së bashku me tetë punonjës të tjerë të medias, ishte mes atyre që u lanë të lirë.

Agence France-Presse njoftoi se një koktej molotov i hedhur në selinë e partisë Lidhja Kombëtare për Demokracinë e udhëheqëses civile të arrestuar Aung San Suu Kyi në Rangun shkaktoi një zjarr të vogël.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania vendosën sanksione ndaj juntës në pushtet të Mianmarit të enjten, duke vënë në shënjestër bizneset e kontrolluara nga ushtria.

"Sot Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprimin e tyre më domethënës deri më sot për të imponuar kosto ndaj regjimit ushtarak," tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë të enjten.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG