Lidhje

SHBA dhe 13 vende të tjera të shqetësuar mbi raportin e OBSH-së


Shtetet e Bashkuara dhe 13 vende të tjera lëshuan një deklaratë duke ngritur "shqetësime të përbashkëta" në lidhje me raportin e publikuar të martën nga Organizata Botërore e Shëndetësisë lidhur me origjinën e COVID-19-s.

Në deklaratën e publikuar të martën në faqen në internet të Departamentit amerikan të Shtetit, thuhej se ishte thelbësore që të shpreheshin shqetësimet se studimi i ekspertëve ndërkombëtarë mbi origjinën e virusit u vonua ndjeshëm dhe se nuk pati qasje në të dhëna të plota, origjinale dhe në mostra.

OBSH-ja e publikoi zyrtarisht raportin më herët gjatë ditës së martë, duke thënë se ndërsa në të paraqitet një përmbledhje gjithëpërfshirëse e të dhënave në dispozicion: "ne (ekspertët e OBSH-së) ende nuk e kemi gjetur burimin e virusit". Ekipi raportoi se gjatë vizitës së tij në qytetin kinez të Wuhanit në fillim të këtij viti, kishte hasur ndër të tjera në vështirësi për të siguruar të dhënave të papërpunuara.

Studiuesit gjithashtu ishin detyruar të prisnin me ditë përpara se të merrnin lejen përfundimtare nga qeveria kineze për të hyrë në Wuhan.

Në deklaratën e përbashkët e Shteteve të Bashkuara dhe 13 vendeve të tjera thuhet në vazhdim se "misione shkencore të kësaj natyre duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në kushte që prodhojnë rekomandime si dhe gjetje të pavarura e objektive". Nënshkruesit e deklaratës thonë se i shprehën shqetësimet e tyre me shpresën për të shtruar "rrugën drejt një procesi që zhvillohet në kohë, transparent, e të bazuar në prova, që do të ndihmonte fazën tjetër të këtij studimi, si dhe krizat e ardhshme shëndetësore".

Krahas SHBA-së, deklarata u nënshkrua nga qeveritë e Australisë, Britanisë, Kanadasë, Republikës Çeke, Danimarkës, Estonisë, Izraelit, Japonisë, Letonisë, Lituanisë, Norvegjisë, Koresë së Jugut dhe Sllovenisë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të martën se është i nevojshëm një studim i mëtejshëm dhe më shumë të dhëna për të konfirmuar nëse virusi u përhap tek njerëzit përmes zinxhirit ushqimor ose përmes kafshëve të egra apo të buta.

Zoti Tedros tha se ndërsa ekipi i ekspertëve ka arritur në përfundimin se rrjedhja e virusit nga një laborator është një hipotezë më pak e mundshme, por shtoi se çështja kërkon hetime të mëtejshme.

Udhëheqësi i ekipit të OBSH-së Peter Ben Embarek u tha gazetarëve të martën se është "krejtësisht e mundur" që infeksionet me koronavirus kanë qarkulluar rreth Wuhanit që prej nëntorit apo tetorit 2019, më herët sesa tregojnë të dhënat e regjistruara në lidhje me përhapjen e virusit.

XS
SM
MD
LG