Lidhje

Aktivistët boshnjakë paralajmërojnë për rrezikun nga ndotja e lumenjve


Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit në Bosnjë po paralajmërojnë se sasitë e mëdha të mbeturinave që lundrojnë në lumenjtë e këtij vendi ballkanik po rrezikojnë ekosistemin e rajonit dhe shëndetin e njerëzve. Për të trajtuar këtë problem ata po bashkëpunojnë me një kompani gjermane, e cila ka dërguar një pajisje të posaçme në Bosnjë për pastrimin e lumenjve të vendit.

Aktivistët boshnjakë paralajmërojnë për rrezikun nga ndotja e lumenjve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:06 0:00

Lumi Drina, në kufirin midis Bosnjës dhe Serbisë ka qënë i mbuluar me mbeturina për javë të tëra, duke vështirësuar punën e autoritetit përgjegjës për pastrimin e tij.

Problemi filloi pas reshjeve të mëdha të shiut që shkaktuan vërshime dhe përmbytjen e një depoje mbeturinash, duke mbushur lumin me shishe plastike, orendi të vjetra dhe goma makinash.

Pranë qytetit lindor boshnjak të Vishegradit, mbeturinat kanë thyer një membranë zinxhirësh dhe po lundrojnë drejt digës së hidrocentralit lokal.

"Ky është një problem i përmasave të mëdha", paralajmëroi Dejan Furtula, nga grupi lokal Eko Centar Visegrad.

"Këtu kemi mes 10,000 dhe 15,000 metra kub plastikë. Të gjithë lumenjtë tanë janë të ndotur. Ky nuk është problem vetëm për Bosnjën dhe Hercegovinën, por edhe për Serbinë dhe Malin e Zi. Të gjithë duhet të punojmë më shumë për të rritur ndërgjegjësimin ekologjik dhe për t'u përfshirë në mënyrë aktive për zgjidhjen e këtij problemi. Ne kemi aplikuar për të marrë donacione nga Bashkimi Evropian dhe shpresojmë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur", thotë ai.

Ndërsa autoritetet lokale janë marrë me pastrimin e mbeturinave për javë me radhë, sasi të tjera mbeturinash po vijnë vazhdimisht nga degët e rrjedhës së sipërme në Serbi dhe Mal të Zi.

Përpjekjet e tyre këtë javë morën një nxitje nga një organizatë me bazë në Gjermani që solli një anije novatore për mbledhjen e mbeturinave, të quajtur CollectiX.

Clemens Feigl, nga kompania Everwave tha se pamjet "tronditëse" të lumit të mbuluar me mbeturina e shtynë kompaninë të ofronte ndihmën e tyre.

"Ne do të përpiqemi në ditët në vijim të nxjerrim nga uji sa më shumë mbeturina që të jetë e mundur. Ne do të bëjmë maksimumin në 14 ditët e ardhshme", tha ai.

Serbia fqinje kohët e fundit u përball me një emergjencë të ngjashme me mbeturinat në një liqen në jugperëndim të vendit.

Shumë vende në Ballkanin Perëndimor po përballen me probleme të ndryshme mjedisore. Një nga problemet më urgjente është ndotja jashtëzakonisht e lartë e ajrit që prek një numër qytetesh në rajon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG