Lidhje

Putini i hap rrugë qëndrimit të tij në pushtet deri në 2036


Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një ligj që ka nxitur debate në vend, i cili i hap atij rrugën të qëndrojë potencialisht në pushtet deri në 2036.

Ligji, i cili u miratua kohët e fundit nga të dyja dhomat e parlamentit rus, harmonizon ligjet zgjedhore me ndryshimet kushtetuese të miratuara vitin e kaluar.

Një prej ndryshimeve kushtetuese i jep mundësi zotit Putin, të rikandidojë në 2024 me përfundimin e mandatit aktual dhe sërisht në 2030, nëse ai zgjedh ta bëjë një gjë të tillë.

Sipas ligjeve aktuale zgjedhore, në Rusi një president nuk mund të kërkojë një mandat të tretë radhazi gjashtë-vjeçar. Zoti Putin aktualisht ndodhet në mandatin e tij të dytë radhazi.

Ndryshimet kushtetuese u iniciuan në janar 2020 nga udhëheqësi 68-vjeçar rus, i cili ka drejtuar vendin në cilësinë e kryeministrit apo të presidentit që nga fundi i vitit 1999.

Votimi në të gjithë vendin verën e kaluar mbi ndryshimet kushtetuese nxiti protesta në Moskë të cilat u shpërndanë nga policia.

Sipas rezultateve të një sondazhi zhvilluar nga qendra e pavarur “Levada” muajin e kaluar, 41 për qind e rusëve nuk duan që Vladimir Putin të qëndrojë në pushtet pas skadimit të mandatit aktual të tij në 2024.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG