Lidhje

SHBA i quan konstruktive bisedimet jo të drejtpërdrejta me Iranin


Irani dhe fuqitë botërore do të takohen të premten pasi ekspertët e tyre të diskutojnë plane konkrete se si Shtetet e Bashkuara do të heqin sanksionet dhe Irani t’u rikthehet detyrimeve, si pjesë e bisedimeve jo të drejtpërdrejta që synojnë rigjallërimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Vendet evropiane kanë filluar ndërmjetësimin mes zyrtarëve iranianë dhe amerikanë në Vjenë ndërsa përpiqen t'i rikthejnë të dyja vendet në marrëveshjen nga e cila Uashingtoni u tërhoq tre vjet më parë, thanë diplomatët.

Bisedimet jo të drejtpërdrejta ishin në kuadrin e një takimi në Vjenë mes Teheranit dhe pesë fuqive botërore që janë pjesë e marrëveshjes.

SHBA, Irani pritet të fillojnë bisedime jo të drejtpërdrejta
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:15 0:00

Shtetet e Bashkuara i përshkruan të martën bisedimet jo të drejtpërdrejta me Iranin në Vjenë si një hap konstruktiv drejt rikthimit të dyja palëve në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

"Këto diskutime në Vjenë, edhe pse nuk po takohemi drejtpërdrejt me iranianët, janë një hap i mirëpritur, konstruktiv ndërsa përpiqemi të përcaktojmë se çfarë janë të gatshëm të bëjnë iranianët dhe rrjedhimisht atë që mund të duhet të bëjmë ne për t'iu rikthyer marrëveshjes", u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në konferencën e tij të përditshme për shtyp.

I dërguari i posaçëm amerikan për Iranin Robert Malley drejtoi delegacionin amerikan në bisedimet e Vjenës në të cilat Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia po kërkojnë të ringjallin marrëveshjen bërthamore, të njohur si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit.

Ish-presidenti Donald Trump kishte nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja në vitin 2018, duke zgjedhur një fushatë presioni maksimal përmes sanksioneve.

"Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore e Iranit. Pas pak, unë do të nënshkruaj një Memorandum Presidencial për të filluar rivendosjen e sanksioneve bërthamore amerikane ndaj regjimit iranian", tha zoti Trump.

Që atëherë, Irani ka shkelur vazhdimisht kufizimet e marrëveshjes, si sasia e uraniumit të pasuruar që mund të ketë në rezerva dhe shkalla e pasurimit të tij.

Lëvizjet e Teheranit synojnë të ushtrojnë presion mbi vendet e tjera në marrëveshje, për të bërë më shumë për të lehtësuar ndikimin e sanksioneve të vendosura nga administrata e kaluar amerikane.

Presidenti Joe Biden ka thënë se kthimi tek marrëveshja dhe tek programi bërthamor i Iranit duke ruajtur kufizimet ndërkombëtare, ishte një përparësi.

Por Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë rënë dakord rreth kërkesave të Iranit që më parë të hiqen sanksionet.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif shkruante në Twitter të martën se nuk do të kishte takim mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke e quajtur të “panevojshëm."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG