Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin mbërriti në Izrael të dielën, ndalesa e tij e parë në një udhëtim dyditor në vendin e Lindjes së Mesme.
"Pres të kemi diskutime serioze me miqtë tanë izraelitë mbi çështjet e sigurisë rajonale. E vlerësoj se Izraeli është një partner kryesor strategjik", shkruante Sekretari Austin në Twitter.
Zoti Austin është anëtari i parë i nivelit të lartë i kabinetit të Presidentit të SHBA-së Joe Biden që shkon në Izrael që nga njoftimi i administratës amerikane për rigjallërimin e bisedimeve për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin.
Sekretari Austin është planifikuar të takohet me homologun e tij izraelit Benny Gantz të dielën.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka qenë një kritik i vendosur i marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe mirëpriti tërheqjen e ish-Presidentit Donald Trump për paktin.
Javën e kaluar, zoti Netanyahu tha se një marrëveshje me Iranin "do të hapte rrugën për armët bërthamore - që kërcënojnë zhdukjen tonë."
Presidenti iranian Hassan Rouhani ka njoftuar përurimin e 164 centrifugave IR-6 për prodhimin e uraniumit të pasuruar, si dhe centrifugave prove për pasurimin e uraniumit në kompleksin Natanz të Iranit, në një ceremoni të transmetuar nga televizioni shtetëror.
Facebook Forum