Lidhje

Shqipëri, rastet e reja me COVID në rënie, shtohen pacientët në terapi intensive


Spitali infektiv

Në Shqipëri, për të tetën javë radhazi, rastet e reja me Koronavirus shënuan një ulje. Po ashtu dhe tenendenca e vdekjeve ka ardhur në rënie së bashku me numrin e shtrimeve në spital. Por përkundër kësaj ecurie, në javën e fundit (6 Prill-12 Prill) është vënë re një rritje e pacientëve të trajtuar në terapi intensive, përfshirë, numrin e të intubuarve.

Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se gjatë javës së fundit rastet ranë me 27.5 përqind. Në total u rregjistruan 1723 të prekur rishtaz, me një mesatare ditore prej 246 të infektuarisht. Bëhet fjalë për shifrat më të ulta javore që pas periudhës 6 Tetor-12 Tetor). E hëna 12 Prill ishte dhe dita me numrin më të ulët të rasteve, vetëm 125 të prekur, kuota më e ulët që prej fundit të shtatorit të kaluar. Këto raste, sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë identifikuar në këto bashki: 27 raste në Tiranë, 16 në Fier, 9 në Shkodër, 8 në Sarandë, 7 në Elbasan, 6 në Durrës, 5 në Lezhë, nga 4 raste në Lushnje, Pogradec, Gramsh, nga 3 raste në Kavajë, Vlorë, Mirditë, Berat, Delvinë, Tepelenë, nga 2 raste në Kurbin, Malësi e Madhe, Kuçovë, Skrapar, Patos, Konispol, dhe nga 1 rast në Kukës, Tropojë, Vau i Dejës, Dibër, Roskovec. Bëhet fjalë për më pak se gjysmën e bashkive të vendit.

Gjatë javës së fundit, testimet shënuan një rënie të lehtë (-4 përqind) duke rezultuar në total 18.871 tamponë, me një mesatare ditore prej 2695 tamponësh. Pavarësisht kësaj, pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) shënoi një tjetër rënie të ndjeshme duke zbritur me 3.1 pikë përqindje, në kuotën e 9 përqind, niveli më i ulët që nga muajt e parë të pandemisë vitin e shkuar.

Numri i vdekjeve u tkurr sërish ndjeshëm. Në total, gjatë gjithë javës së fundit, janë 47 viktima, ose 19 përqind më pak se java pararendëse, niveli më i ulët që prej javës 19 Janar-25 Janar. Të hënën u shënua kuota më e ulët e javës, me vetëm 4 persona që humbën jetën: 1 qytetar nga Tirana, 1 qytetar nga Gjirokastra, 1 qytetar nga Fieri, dhe 1 qytetar nga Malësi e Madhe të moshave 63 - 82 vjeç.

Por në ndryshim nga tendenca e përgjithshme e përmirësimit të situatës, gjatë javës së fundit, pavarësisht se numri i shtrimeve ra me 20 përqind, duke regjistruar këtë të hënë, 204 pacientë, ata që ishin në gjendje kritike dhe kërkuan trajtim në terapi intensive u rritën. Nëse javën pararendëse 30 Mars- 5 Prill pati në total 72 të shtruar në terapi intensive, nga të cilët 29 të intubuar, në javën e fundit ishin 107 pacientë në terapi intensive, nga të cilët 35 të intubuar.

Shqipëria ndërkohë, po vijon intensivisht procesin e vaksinimit. Deri të hënën, sipas të dhënave zyrtare, janë 396.560 doza që kanë mbërritur në vend, nga të cilat janë kryer 267.541 vaksina. Një sasi prej 7020 dozash të vaksinës Pfizer, mbërritën të hënë në mbrëmje, si pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me kompaninë amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG