Lidhje

Biden: Nuk ka justifikim për dhunën e plaçkitjet pas incidentit në Mineapolis


Presidenti Joe Biden tha të hënën se “nuk ka justifikim” për dhunën dhe plaçkitjet që shpërthyen në lagjen periferike Bruklin Senter të Minesotës pas një incidenti vdekjeprurës të së dielës.

"Bëj thirrje për paqe dhe qetësi,” tha presidenti në komentet për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. “Duhet të dëgjojmë nënën e Dauntes që po bën thirrje për qetësi”.

Guvernatori i Minesotës ka caktuar për zonën e Mineapolisit dhe Sejnt Polit orën policore nga 19:00 – 6:00 të së martës sipas orës lokale.

Daunte Wright, një afrikano-amerikan 20-vjeçar u vra gjatë një ndalimi nga policia rrugore të dielën pasdite.

Policia e zonës Bruklin Senter tha përmes një deklarate se policët e kishin ndaluar gjatë qarkullimit me makinë rreth orës 14 të dielën. Pasi kishin zbuluar se ekzistonte një urdhër arresti aktiv ndaj tij për zotërim të një arme zjarri pa leje, policët u përpoqën ta arrestonin. Zoti Wright u kthye në makinë dhe filloi ta ngiste për t’u larguar. Makina kishte kaluar disa rrugë para se të godiste një tjetër automjet.

Të hënën autoritetet e rendit thanë se një police e kishte qëlluar aksidentalisht për vdekje zotin Wright kur ishte përpjekur të nxirrte një pajisje me rrymë elektrike për ta vënë nën kontroll.

"Duhet të bëjmë pyetjen: a ishte aksident? A ishte e qëllimtë,” tha presidenti të hënën, duke shtuar se hetimet do të japin përgjigje.

Policia: Duket aksidentale

Pamjet e shfaqura gjatë një konference shtypi të hënën treguan një konfrontim mes të ndjerit Wright dhe oficeres. Daunte Wright pastaj u kthye në makinë ndërsa oficerja dëgjohej duke bërtitur dhe paralajmëruar se do të përdorte pajisjen me elektroshok.

“Më duket se, bazuar në atë që pashë, në reagimin dhe shqetësimin e shprehur menjëherë nga oficerët, ishte një e shtënë aksidentale që rezultoi nëvdekjen tragjike të zotit Wright”, tha shefi i Policisë së Qendrës Brooklyn, Tim Gannon.

“Dua të them se zemrat tona po dhembin tani”, tha kryetari i Bashkisë në Bruklin Park, Mike Elliot në konferencë. “Ndjejmë dhimbje. E pranojmë se kjo nuk duhet të ndodhte në një kohë kaq të papërshtatshme”.

“Ne do t’i shkojmë kësaj deri në fund”, tha zoti Elliot. “Do të bëjmë gjithçka që kemi mundësi për t’u siguruar që të vihet në vend drejtësia për Daunte Wright”.

Nëna e zotit Wright, Katie Wright, u tha gazetarëve të dielën se ajo kishte marrë një telefonatë nga djali i saj atë pasdite, i cili i kishte treguar se policia e kishte ndalur pasi kishte freskues ajri të varur në pasqyrë të makinës, që është e jashtëligjshme në Minesota. Ajo tha se dëgjoi policinë duke i kërkuar atij të dilte nga makina.

Në një deklaratë, policia e Qendrës Bruklin tha se oficerët e ndaluan zotin Wright për shkelje të rregullave të trafikut pak para orës 2 pasdite kur edhe kuptuan se ndaj tij kishte një urdhër-arresti. Ndërsa policia provoi ta arrestonte, ai u kthye në makinë. Një oficere, emri i së cilës nuk u publikua, e qëlloi afrikano-amerikanin. Zoti Wright e ngau makinën disa qindra metra, pastaj goditi një makinë tjetër dhe vdiq. Po ashtu një polic u dërgua në spital pas lëndimeve thanë mediet lokale.

Vdekja nxiti protesta në Qendrën Bruklin të dielën mbrëma ndërsa Minneapolisi ndodhet në mes të gjykimit të njërit nga katër oficerët e policisë për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd. Qendra Bruklin është një qytet me një popullësi prej rreth 30 mijë banorësh që ndodhet në kufirin veriperëndimor të Mineapolisit.

Grupe qytetarësh përfshirë edhe familjen dhe miqtë e Daunte Wright, parakaluan me flamujt "Black Lives Matter", ndërsa në një rrugë ishte shkruar me shkumës shumëngjyrësh: "Drejtësi për Daunte Wright".

Të dielën vonë policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë një turmë protestuesish që ishin mbledhur para stacionit të policisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG