Lidhje

Indi, mbërrijnë dërgesat e para me furnizime kritike mjekësore


Të martën në Indi mbërriti dërgesa e parë me furnizimeve kritike mjekësore ndërsa vendi vazhdon të luftojë me një valë të dytë tejet problematike infeksionesh me COVID-19. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e ka përshkruar situatën si "më shumë se tronditëse".

Britania dërgoi pajisjet e para mjekësore, mes tyre 100 respiratorë dhe 95 aparatura oksigjeni.

Disa vende janë zotuar gjithashtu të dërgojnë në Indi pajisje mjekësore, mes tyre Franca, Gjermania, Izraeli dhe Pakistani, vendi fqinj dhe kundërshtari i vjetër i Indisë.

Shefi i OBSH-së Tedros Ghebreyesus u tha gazetarëve në Gjenevë të hënën se organizata që drejton "po bën gjithçka mundet, për të siguruar pajisje kritike mjekësore”, duke përmendur mes tyre edhe spitalet e parafabrikuara e të lëvizshme si dhe pajisje laboratorike.

Ai vuri në dukje se OBSH-ja do të dërgojë një personel shtesë prej 2,600 vetësh në Indi për të ndihmuar në përpjekjet për të luftuar koronavirusin.

Ndihma ndërkombëtare vjen ndërsa India raportoi të martën 323,144 raste të reja me COVID-19, duke shënuar ditën e gjashtë radhazi me më shumë se 300,000 infeksione. Sistemi i kujdesit shëndetësor të vendit është pranë kolapsit të plotë, me spitale të mbushura me kaq shumë pacientë me koronavirus, saqë autoritetet janë detyruar të shndërrojnë vagonë trenash në pavione për të izoluar pacientët me COVID.

India gjithashtu raportoi të martën 2771 vdekje si pasojë e COVID-19-s. Kryeqyteti i vendit Nju Delhi, ndodhet nën masa bllokuese të cilat u zgjatën të hënën edhe me një javë.

Sipas autoriteteve indiane vala e dytë e infeksioneve është pasojë e përhapjes së varianteve më ngjitëse të virusit si dhe lehtësimit të kufizimeve lidhur me grumbullimin e njerëzve.

Situata ka shtyrë shumë vende të pezullojnë të gjitha udhëtimet ajrore me Indinë. Të martën Australia pezulloi fluturimet direkte nga India deri në 15 maj, duke lënë me mijëra australianë të bllokuar në atë vend.

XS
SM
MD
LG