Lidhje

SHBA: Angazhimi i Presidentit Biden për të drejtat e njeriut në botë


Presidenti amerikan Joe Biden është zotuar të vendosë të drejtat e njeriut në qendër të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Mbrojtës së të drejtave të njeriut i kanë mirëpritur deklaratat e forta nga administrata e re, por thonë se ato duhet të pasohen nga veprime konkrete. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Cindy Saine sjell hollësi.

Masat e ashpra shtypëse ndaj protestave paqësore në Mianmar, Rusi dhe vende të tjera nëpër botë e vunë në provë premtimin e administratës së zotit Biden për t'i bërë të drejtat e njeriut gur themeli të politikës së jashtme amerikane.

"Presidenti Biden është i përkushtuar t'i vendosë të drejtat e njeriut përsëri në qendër të politikës së jashtme amerikane dhe ky është një angazhim, që unë dhe i gjithë Departamenti i Shtetit e marrim shumë seriozisht", është shprehur Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Disa ekspertë të të drejtave të njeriut thonë se Presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken kanë përçuar qartë një ton të ndryshëm për të drejtat e njeriut në krahasim me administratën e ish-presidentit Trump, duke përmendur si shembull qendrimin mjaft kritik ndaj trajtimit të pakicës ujgure nga Pekini.

"Administrata e zotit Biden e ka bërë mjaft të qartë se trajtimi i ujgurëve është i egër dhe se qeveria amerikane nuk do të mbyllë sytë para një situate të tillë. Është një ndryshim rrënjësor qëndrimi për të drejtat e njeriut në Kinë. Mendoj se gjatë administratës së mëparshme, nuk iu dha vëmendje e mjaftueshme abuzimeve me të drejtat e njeriut, qoftë në rajonin Xinjiang apo në Hong Kong", thotë Joanne Lin e organizatës Amnesty International.

Ekspertë të tjerë gjithashtu vërejnë vëmendjen e administratës tek të drejtat e njeriut në botë.

"Sanksionet ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare u hoqën. Filloi përsëri angazhimi për të drejtat e grave. Kemi parë shumë mbështetje për komunitetit LGBT në të gjithë botën, mbështetje për shoqërinë civile. Dhe sigurisht, të drejtat e njeriut janë përmendur mjaft shpesh, veçanërisht nga Sekretari i Shtetit Tony Blinken", thotë Sarah Holewinski e organizatës Human Rights Watch.

Por përsa i takon Lindjes së Mesme, zonja Holewinski dhe ekspertë të tjerë thonë se ka akoma hapësirë për përmirësim.

"Ka pasur edhe disa hapa të gabuar. Pra, veprime që janë shumë praktike dhe jo vetëm deklarata përfshijnë shitjen e armëve për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin - dy vende të njohura për shkeljen e të drejtave. Pra, kemi akoma punë për të bërë", thotë ajo.

Ekspertët thonë se megjithëse ndryshimi i tonit është i rëndësishëm, sfida e vërtetë do të jetë mënyra se si administrata e zotit Biden mund t’i mbajë përgjegjëse vende si Rusia ose Kina për abuzimet e të drejtave të njeriut.

"Kur Sekretari i Shtetit Tony Blinken thotë se ajo që po ndodh me ujgurët në Kinë është gjenocid, është një aspekt. Por përveç kësaj duhen masa për t'i imponuar një kosto Kinës për ato veprime, ndërsa bëhen paralelisht përpjekje për të siguruar bashkëpunimin e Kinës për klimën dhe pandeminë si edhe çështje të tjera", thotë analisti Brian Katulis në Qendrën Amerikane për Progres.

Me rritjen e numrit të vdekjeve nga COVD-19 në Indi dhe vende të tjera, ekspertët e të drejtave të njeriut thonë se dhënia e ndihmës kritike është një çështje tjetër kryesore e të drejtave. Ata po u bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të pasura të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale ndaj vaksinave për të lejuar qasje më të madhe ndaj tyre, duke shpëtuar jetë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG