Lidhje

Shqipëri, vota preferenciale, disa kandidatë thyejnë herësin


Në Shqipëri vijon ende numërimi për votat që zgjedhësit kanë hedhur për kandidatët e tyre të preferuar. Sistemi i listave pjesërisht të hapura, mundëson që edhe kandidatët që janë në pjesën e poshtme të listave, të jenë fituesë nëse kalojnë mestaren e votive për një mandat, duke spostuar atë që ndodhet në pjesën e sipërme, por që ka më pak vota. Deri më tani ish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe një tjetër emër në listën e socialistëve në Tiranë, kanë garantuar hyrjen në parlament pavarësisht se renditeshin në zonë jo të sigurtë. Një tjetër rast i ngjashëm ka ndodhur në Elbasan me kandidatin demokrat Luciano Boci

Shqipëri, vijon numërimi për votat që do të përcaktojnë renditjen e kandidatëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00


Vota preferenciale e zbatuar në zgjedhjet e 25 korrikut pritet të ushqejë debate të reja në Shqipëri, duke qenë se ajo po shërben si një barometër politik i mbështetjes që kandidatët kanë marrë, por duke u bërë nga ana tjetër deri diku dhe një tregues mbi atë se sa të drejta kanë qenë përzgjedhjet e drejtuesve partiakë.

Strategjia e kryetarit socialist Edi Rama, ishte ajo e vendosjes në kufirin e objektivit të mandateve që synoheshin, drejtuesit politik të qarqeve. Një zgjedhje që duket se funksionoi në pjesën dërrmuese të rasteve, por që do të lerë jashtë parlamentit, zotin Ilir Beqja, drejtuesin e Shkodrës, qark ku socialistët morën më pak mandate se në 2017. Kjo formulë rrezikoi dhe kryetarin e parlamentit Gramoz Ruçi i cili megjithatë, rezulton i mbrojtur nga numri i lartë i votave që ka marrë në emrin e tij.

Kryeministri Edi Rama u përballë më kritika për përzgjedhjen veçanërisht në Tiranë, ku emra të njohur si ministri Diasporës Pandeli Majko, ish ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ish ministri Brendshëm Fatmir Xhafaj, nuk ishin në pjesën e favorizuar të listës, përtej kufirit të mandateve që socialistët donin të merrnin në kryeqytet. Zonja Kodheli dhe zoti Majko do të mbeten jashtë parlamentit, pavarësisht se kur janë numëruar mbi 90 përqind e kutive në kryeqytet, kanë marrë ndjeshëm me shumë mbështetje se të tjerët që janë në pjesën e sipërme të listës. Ata nuk arritën dot të bënin atë që mundi të realizonte zoti Xhafaj, i cili theu herësin, duke garantuar përfaqësimin në parlament, pa mbështetjen e kryeministrit. Ndërsa procesi është në vazhdim zoti Xhafaj, rezulton emri me mbështetjen më të madhe në kryeqytet, së bashku me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, dhe një ndër socialistët më të votuar në rang vendi.

Një tjetër kandidat në listën e socialistëve që arriti të thyejë herësin është dhe Ornaldo Rakipi, vetëm 27 vjeç, të cilin me këtë parti ngjan se e lidh vetëm fakti i të qenit i biri i Aqif Rakipit, ish deputetit që hyri nga rradhët e PDIU-së, për t’u rreshtuar më pas me socialistët, e që u detyrua të dilte nga parlamenti, si pasojë e dekriminalizimit, për shkak të së kaluar së tij. Megjithatë ai duket të ketë një ndikim të admirueshëm në strukturat udhëheqëse të Partisë socialiste, përsa kohë dhe në listat e Elbasanit u përfshi një tjetër familjar i tij, i cilit gjithashtu do të jetë në parlament.

Edhe në Partinë Demokratike ka raste të shumta të emrave të vendosur në pjesën e poshtme që kanë marrë më shumë vota se të përzgjedhurit për të qenë në pjesën fituese, por këtu vetëm Luciano Boci në Elbasan ia doli që të thyente herësin.

Kryetari Demokrat Basha rezulton emri më i votuar ndër demokratët, i ndjekur nga Agron Shehaj, ndërkohë që figura historike e kësaj partie zoti Sali Berisha, renditej deri pasdite, i 7-i për nga mbështetja e votuesve të djathtë.

Ndërsa procesi për kandidatët vijon, rezultati i zgjedhjeve nxorri fitues socialistët e kryeministrit Edi Rama, i cili duket se i është rikthyer angazhimeve qeveritare. Në krahun tjetër opozita ka nisur përgatitjet për një betejë ligjore kundër 25 Prillit të cilësuar prej saj një masakër elektorale. Por paralelisht, forca kryesore e saj, Partia demokratike, po përballet me një debat në rritje brenda vetes, për të ardhmen e drejtimit të kësaj force politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG