Lidhje

COVID 19, situata në përmirësim për të 11-ën javë rresht


Në Shqipëri prej 11 javësh, nga periudha 16-22 shkurt, situata e pandemisë COVID 19 ka ardhur në përmirësim të pandërprerë. Edhe java e fundit 27 Prill-3 Maj, ka rregjistruar, sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, një rënie të ndjeshme të viktimave si dhe të rasteve, ndërsa shtrimet në spitale kanë vijuar të bien.

Në total, në 7 ditët e fundit pati vetëm 20 vdekje, një nivel i cili më parë ishte rregjistruar në periudhën 29 Shtator – 5 Tetor. Krahasuar më javën pararendëse bëhet fjalë për një rënie me 62.5 përqind. Në 24 orët e fundit, u rregjistruan 2 viktima, një qytetar nga Shkodra dhe një qytetar nga Durrësi të moshave 83-90 vjeç.

Ulje të ndjeshme kanë shënuar dhe rastet e reja, -31.7 përqind, ndërkohë që testimet u tkurrën me vetëm 4.9 përqind. Në total gjatë javës së fundit pati 670 të prekur rishtazi, niveli më i ulët që nga periudha 14 -20 korrik të vitit të shkuar, kur ishin rregjistrar 600 të infektuar. Ndërkohë që rastet e raportuara të hënën ishin vetëm 38, një nivel që nuk ishte parë që prej fundit të qershorit 2020. SIpas Ministrisë së Shëndetësisë, rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në 13 nga 62 bashkitë që ka vendi: 20 raste në Tiranë, 5 në Korçë, 3 në Sarandë, dhe nga 1 rast në Fier, Kukës, Lezhë, Vlorë, Mirditë, Divjakë, Gramsh, Skrapar, Patos, Konispol.

Ajo që bie në sy është dhe se pozitiviteti (raporti mes rasteve dhe numrit të testimeve) ka vijuar gjithashtu të bjerë duke u ulur në një mesatare javore prej 4.1 përqind, ose 0.8 pikë përqindje më pak nga java e mëparshme. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Në përmirësim ka vijuar dhe situata në spitale, ku totali i pacientëve të hënën pasdite ishte 123 të sëmurë, nga të cilët 8 në terapi intensive dhe 2 të tjerë të intubuar.

Gjatë javës që shkoi 5.327 persona u shëruan. Ritmi, ndjeshëm më i lartë i atyre që negativizohen, krahasuar me rastet e reja, ka bërë që të ulen ndjeshëm rastet ende aktive. Që nga fillimi i muajit prill, deri këtë të hënë, totali i rasteve aktive ka zbritur në 17.085 persona, ose 43.6 përqind më pak.

Shqipëria po vijon me ritme të larta vaksinimin e popullatës. Deri të hënën llogariteshin të ishin kryer mbi 504 mijë dosa. MInistrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, bëri të ditur se deri më tani kanë mbërritur në vend 736 mijë doza, të cilave pritet t’u shtohen gjatë muajit maj edh 99 mijë doza të tjera. Shqipëria ka në përdorim katër lloje vaksinash, Pfizer, AstraZeneca, Sinovac dhe Sputnik V.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG