Lidhje

Bill dhe Melinda Gates, një tjetër çift i famshëm që divorcohet


Bill dhe Melinda Gates njoftuan të hënën se po divorcohen por do të vazhdojnë të bashkëpunojnë përmes Fondacionit Bill dhe Melinda Gates, një ndër organizatat më të mëdha bamirëse në botë. Për një ndër çiftet më të pasur në botë, financat nuk do të jenë problem. Por ekspertët shpjegojnë se për individë të famshëm e figura publike, ndarja e zotërimeve dhe ruajtja e privatësisë nuk është e lehtë

Bill Gates, prej dekadash një prej individëve më të pasur në botë, duhet të vendosë tani si të ndajë zotërime me vlerë prej 100 miliardë dollarësh me bashkëshorten Melinda Gates, me të cilën ndau jetën prej 27 vjetësh.

Jane Owen, publiciste që shkruan për jetën e personave të famshëm shprehet e impresionuar nga mënyra se si çifti Gates e bëri njoftimin për ndarjen:

"Sa më shpejt ta mbyllin këtë proces, sa më parë që të kalojnë në kapitullin tjetër të jetëve të tyre, aq më mirë do të jetë. Ata shpresojnë që të mos fillojnë të dalin thashetheme për jetën e çiftit, në mënyrë që të mos krijohet një energji negative,” thotë publicistja.

Zonja Owens thotë se pandemia mund të ketë luajtur rol duke nxjerrë në pah probleme që çifti i kishte injoruar prej kohësh:

"Nëse eliminojmë pandeminë si faktor, çiftet me karriera të fuqishme e interesa të shumta, si për shembull Kim Kardashian e Kanye West apo A-Rod dhe Jennifer Lopez si dhe Bill e Melinda Gates kanë plot gjëra që e mbajnë secilin prej tyre të angazhuar me punë. Por kur pandemia i detyroi njerëzit të shpenzonin kaq shumë kohë së bashku fillojnë të dalin në sipërfaqe tensionet mes partnerëve,” thotë zonja Owens.

Nancy Green, juriste për divorcet e nevoja të tjera ligjore në familje vlerëson faktin që Bill Gates dhe bashkëshortja po ndajnë zotërimet me marrëveshje, gjë që e bën shumë më të lehtë pjesën e procesit që zgjidhet në gjykatë.

"Mendoj se me një pasuri të tillë kaq të madhe, ndarja e zotërimeve është shumë komplekse. Në disa raste marrëveshja për ndarjen e zotërimeve mund të dalë një dokument me 20 faqe. Në këtë rast mund të ketë 100 faqe”.

Ali Stagnita, gazetare për grupin mediatik Hollywood Life që raporton mbi jetën e aktorëve dhe figurave të tjera të famshme, shkruan se publiku u shpreh i tronditur nga njoftimi për ndarjen, pasi njerëzit krijojnë lidhje të forta emocionale me personat e famshëm, jo thjesht ngaqë personifikojnë jetën luksoze që ëndërrojnë njerëzit e thjeshtë:

"Njerëzit krijojnë përshtypjen se personat e famshëm janë miqtë e tyre. Ata postojnë në median sociale detaje nga jeta e këtyre individëve. Prandaj kur dëgjojnë se një çift i famshëm po divorcohet është njëlloj sikur të mësosh se po ndahen dy miq të tyre. Njerëzit investohen emocionalisht në jetët e individëve të famshëm”.

Bill dhe Melinda Gates u martuan në 1994 në Havai. Ata u prezantuan pasi Melinda filloi punë si menaxhere për produktet në Microsoft në 1987. Ajo ia fitoi zemrën shefit ekzekutiv të kompanisë gjatë një darke pune, kur të dy zbuluan se u pëlqejnë lojërat puzule dhe pasi ajo e mundi në një lojë matematike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG