Lidhje

Nënpresidentja Harris, thirrje Meksikës për bashkëpunim për emigracionin 


Nënpresidentja amerikane Kamala Harris tha të premten se Shtetet e Bashkuara dhe Meksika duhet të bashkëpunojnë për të zvogëluar emigracionin nga Meksika duke iu kundërvënë dhunës dhe korrupsionit në Amerikën Qendrore.

Nënpresidentja e bëri thirrjen e saj gjatë bisedimeve virtuale për emigracionin me Presidentin meksikan Andres Manuel Lopez Obrador.

Nënpresidentja Harris i tha Presidentit Lopez Obrador se ishte në interesin më të mirë të të dyja vendeve të trajtojnë shkaqet kryesore të emigrimit nga El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi, të gjitha të ndodhura në një rajon të Amerikës Qendrore të njohur si Trekëndëshi Verior.

"Së bashku ne duhet të luftojmë dhunën, duhet të luftojmë korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë", tha Nënpresidentja Harris pas takimit. "Është në interesin e ndërsjellë të vendeve tona të sigurojmë lehtësim të menjëhershëm të Trekëndëshit Verior dhe të trajtojmë shkaqet kryesore të emigrimit".

Zëdhënësja e Nënpresidentes Harris, Symone Sanders, tha në një deklaratë pas takimit se të dy udhëheqësit ranë dakord të "krijojnë një partneritet strategjik" për të trajtuar mungesën e zhvillimit ekonomik dhe faktorë të tjerë që shkaktojnë emigrimin nga Trekëndëshi Verior.

"Përmes kësaj iniciative të përbashkët, Shtetet e Bashkuara dhe Meksika do të përdorin ekspertizën dhe burimet e tyre për të trajtuar një sërë sfidash, duke përfshirë mungesën e punësimit, qasjen e kufizuar në treg, shpyllëzimet dhe paqëndrueshmërinë rajonale të shkaktuar nga ndryshimi i klimës", thuhet në deklaratë.

Presidenti amerikan Joe Biden e ka ngarkuar Nënpresidenten Harris të drejtojë përpjekjen e Shtëpisë së Bardhë për të frenuar emigracionin në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, përmes të cilit më shumë se 20 000 fëmijë të pashoqëruar kanë hyrë në SHBA që nga muaji janari.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG