Lidhje

Republikanët largojnë nga drejtimi ligjvënësen Cheney


Republikanët largojnë nga drejtimi ligjvënësen Cheney
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan të mërkurën paradite për largimin e ligjvënëses Liz Cheney nga posti udhëheqës i partisë së tyre, lidhur me kritikat e saj ndaj pretendimeve të ish-Presidentit Donald Trump për mashtrime në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar.

Liz Cheney, vajza e ish-Nënpresidentit Dick Cheney, humbi postin e saj në krye të Konferencës Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve, posti i tretë më i lartë, përgjegjëse për komunikimin e mesazhit të republikanëve për publikun e gjerë.

Vendimi u mor në një mbledhje me dyer të mbyllura.

Mbrëmjen e së martës, zonja Cheney mbajti një fjalim të zjarrtë në Kongres drejtuar udhëheqjes së partisë së saj.

“Zgjedhjet kanë mbaruar. Ky është ligji dhe procesi ynë kushtetues. Ata që refuzojnë të pranojnë vendimet e gjykatave tona janë në luftë me kushtetutën. Detyra jonë është e qartë. Secili prej nesh që ka bërë betimin duhet të veprojë për të parandaluar shpërbërjen e demokracisë sonë. Kjo nuk ka të bëjë me politikën apo partinë. Ka të bëjë me detyrën tonë si amerikanë. Heshtja dhe injorimi i gënjeshtrës e trimëron gënjeshtrarin. Unë nuk do të marr pjesë në të. Nuk do të heshtë ndërsa të tjerët e çojnë partinë tonë në një shteg që braktis shtetin ligjor dhe i bashkohet kryqëzatës së ish-presidentit për të minuar demokracinë tonë.”

Ligjvënësja Cheney, përfaqësuesja e vetme e shtetit Uajoming (Wyoming) ka denoncuar me vendosmëri pretendimet e ish-Presidentit Trump se ai, dhe jo demokrati Biden, ishte fituesi legjitim i zgjedhjeve presidenciale, pavarësisht se fushata e tij humbi disa sfida gjyqësore për të përmbysur rezultatin përfundimtar në shtetet kryesore që ai humbi.

Ligjvënësja Elise Stefanik, përfaqësuese e Nju Jorkut në Kongresin amerikan, e cila ka mbështetur me forcë prentedimet e ish-Presidentit Trump, ka të ngjarë të zgjidhet për të zëvendësuar zonjën Cheney në krye të konferencës republikane. Udhëheqësi i opozitës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka njoftuar mbështetjen për ligjvënësen Stefanik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG